Kontradikta për 'dhënien e pëlqimit' mes Prokurorisë së Prishtinës dhe ATK-s si palë e dëmtuar për mbylljen e rastit ndaj Agim Ademit

Pasi çështja penale ndaj kryetarit të FFK-së Agim Ademi, ishte mbyllur nga prokurori Ali Ajdini, për shmangie tatimore dhe keqpërdorim besimi, KALLXO.com kishte njoftuar ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorin e Shtetit, Besim Kelmendi, lidhur veprimet e prokurorit Ajdini, duke kërkuar që të hetohet ky rast, pasi pala e dëmtuar pretendon se nuk ka dhënë pëlqimin për pezullimin e procedurës penale.

Kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi pasi i ishte deleguar rasti për trajtim nga Besim Kelmendi, ka vendosur më 28.02.2024 që mos të zhvilloj procedurë disiplinore ndaj prokurorit Ali Ajdini, mbi bazën se pëlqimi i palës së dëmtuar është dhënë në mënyrë verbale.

Në anën tjetër nga ATK për KALLXO.com kanë konfirmuar më 13.02.2024 duke thënë që prokuroria nuk ka marrë asnjë pëlqimi nga Administrata Tatimore e Kosovës për pezullimin e procedurës.

“Jo, jo nuk na kanë marrë pëlqim. Të paktën te ne nuk e kanë dërguar as vendimin që e kanë pezulluar procedurën penale, veç informatë na kanë dërguar. Nuk është marrë prej neve asnjë pëlqim asnjë miratim”- kishte thënë Valentina Bytyçi nga ATK për KALLXO.com

Ajdini e kishte pezulluar e më pas hedhur poshtë kallëzimin penale ndaj Agim Ademit dhe katër të tjerëve. Ademi së bashku me katër persona të tjerë hetoheshin nga Prokuroria e Prishtinës për keqpërdorim të besimit dhe për shmangie tatimore. Sipas prokurorisë ATK ishte dëmtuar në vlerë prej 8,337 euro nga shmangia tatimore me veprimeve të të dyshuarve.

Rasti ndaj tyre ishte ndaluar së proceduari me aktakuzë pasi ishte zhvilluar procedura alternative (pezullimi i procedurës penale) më 28.09.2023 me të cilën parashihej që Agim Ademi dhe katër të tjerët të paguanin nga 2 mijë e 650 euro secili veç e veç dhe pas përmbushjes së këtij detyrimi është hedhur poshtë kallëzimi penal.

ATK kishte thënë më datë 06.02.2024 se nuk kishin dhënë pëlqim për t`u pezulluar procedura penale, përmes zëdhënëses së Administratës Tatimore të Kosovës, Valentina Bytyçi.

Përkundër faktit se për Kallxo.com përfaqësues të ATK-së kanë thënë që nuk e kanë dhënë pëlqimin për t`u zhvilluar procedura alternative, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Zejnullah Gashi në shkresën e datës 28.02.2024 ka konsideruar se nuk ka bazë të mjaftueshme për të filluar procedura disiplinore ndaj Ajdinit, pasi që siç thonë ata pala e dëmtuar ka dhënë pëlqimin verbal e jo të shkruar.

“Prokurori i shtetit Ali Ajdini në raportin e dhënë me shkrim të datës 16.02.2024, ka konfirmuar se pala e dëmtuar në këtë çështje penale kishte shprehur pajtim verbal që kjo lëndë të vendoset në procedurë alternative”- thuhet në njoftimin e Kryeprokurorit Zejnullah Gashi.

Në njoftimin e datës 28.02.2024 të kryeprokurori të Prishtinës, Zejnullah Gashi nuk janë pasqyruar detaje të hollësishme se si është dhënë pëlqimi nga pala e dëmtuar, kush ka dhënë pëlqimin e me cilën datë është dhënë pëlqimi.

Kjo thënie e prokurorit del të jetë në kontradiktë me deklarimin që kishte bërë zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyçi më datë 13.02.2024, e cila ka thënë që Prokuroria nuk ka marrë asnjë pëlqimi nga Administrata Tatimore e Kosovës për pezullimin e procedurës.

“Jo, jo nuk na kanë marrë pëlqim. Të paktën te na nuk e kanë dërguar as vendimin”- ka thënë Bytyçi në lidhje telefonike për KALLXO.com

Prokurori Ajdini kishte deklaruar, tek eprori i tij – Zejnullah Gashi, se nëse nuk do të ishte dhënë pëlqimi ashtu siç pretendohet, pala do të atakonte në Prokurorinë e Apelit hedhje të kallëzimit penal.

“Në rastin konkret prokurori Ali Ajdini ka deklaruar se pala e dëmtuar ka shprehur pajtim verbal për zbatimin e kësaj procedure alternative e ndër të tjera nëse një pajtim i tillë nuk do ishte dhënë, pala e dëmtuar brenda afatit ligjor ka pasur mundësinë e atakimit me ankesë të vendimit të prokurorit të shtetit mbi hedhjen e kallëzimit penal apo pushimin e hetimeve, e çka në rastin konkret një e drejtë e tillë nuk është ushtruar nga pala e dëmtuar”- thuhet në përgjigjen që kishte dhënë Ajdini për Prokurorinë e Prishtinës.

Kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi i ka falur besimin deklarimit të datës 16.02.2024 të prokurorit Ali Ajdini, duke thënë se vendimi për pezullimin e përkohshëm të procedurës penale e më pas hedhjen e kallëzimit penal për rastin  e Agim Ademit dhe katër të tjerëve nuk janë vendime të formës së prerë dhe si të tilla mund të atakohen me ankesë në Prokurorinë e Apelit.

Por në anën tjetër vetë pala e dëmtuar më 13.02.2024 i ka thënë KALLXO.com se nuk kanë pranuar vendimet me të cilat do të ju mundësohej ankimimi në Prokurorinë e Apelit. Sipas ATK-së vetëm iu është dërguar njoftimi, por jo edhe vendimet për hedhjen e kallëzimit dhe pezullimin e përkohshëm të procedurës.

“Të paktën te na nuk e kanë dërguar as vendimin që e kanë pezullu procedurën penale, veç informatë na kanë dërguar”- kishte thënë Valentina Bytyçi në deklaratën e saj të datës 13.02.2024.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe përmes emailit ATK-në dhe ka kërkuar që të ketë një përgjigje në formë të shkruar nëse i janë dorëzuar dokumentacionet e nevojshme me të cilat do iu jepej mundësia për ta atakuar vendimin për hedhjen e kallëzimit penal, por përsëri përgjigja kishte qenë negative.

“ATK zyrtarisht nuk ka pranuar Aktvendimin për “Pezullimin e përkohshëm të procedurës penale” dhe hedhjen poshtë të ‘kallëzimit penal’”- thuhet në përgjigjen me email të ATK-së të datës 14.02.2024.

Kodi i procedurës penale e obligon prokurorin e shtetit që brenda 8 ditëve kur është hedhur kallëzimi penal t`i dorëzohen dokumentet palës së dëmtuar ose viktimës me qëllim që t`i jepet mundësia që të apeloj vendimin në shkallën e dytë, përkatësisht në Prokurorinë e Apelit.

“Brenda tetë (8) ditësh nga hedhja e kallëzimit penal, prokurori i shtetit ia dërgon aktvendimin me arsyet për hedhjen e kallëzimit penal të dëmtuarit ose viktimës, personit apo organit që ka parashtruar kallëzimin penal. Aktvendimi për hedhjen e kallëzimit penal i dorëzohet edhe personit kundër të cilit është ngritur kallëzimi pena”- thuhet në Kodin e Procedurës Penale.

KALLXO.com më 14.02.2024 kishte nisur pyetje në drejtim të Prokurorisë të Prishtinës, për të marrë versionin e tyre nëse i janë dorëzuar palës së dëmtuar dokumentet që ata thonë se nuk i kanë pranuar kurrë. Deri në publikimin e këtij lajmi Prokuroria nuk ka kthyer përgjigje.

E drejta për ankesë është një e drejtë e cila parashihet edhe me aktin më të lartë juridik të vendit, Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“[E Drejta për Mjete Juridike] Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj”- thotë neni 32 i kushtetutës.

Afatin për ankesë e parasheh edhe Kodi i procedurës penale, që mund ta paraqes pala e dëmtuar kur hedhet kallëzimi penal del të jetë në afat prej 8 ditëve pasi të pajiset me vendimin për hedhjen e kallëzimit penal.

“Në qoftë se prokurori i shtetit e ka hedh poshtë kallëzimin penal, i dëmtuari ose viktima mund të paraqesë ankesë kundër aktvendimit për hedhjen e kallëzimit penal brenda tetë (8) ditëve nga pranimi i njoftimit sipas paragrafit 4 të këtij neni. Ankesa paraqitet në Prokurorinë e Apelit përmes prokurorisë themelore. Ankesa duhet të përmbajë faktet dhe arsyet e ankesës”- thotë specifikisht Kodi i procedurës penale paragrafi 5 i nenit 83.

Në njoftimin e datës 28.02.2024 Kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi ka ardhë në konstatim se nuk është vërtetuar se veprimet e prokurorit Ali Ajdini paraqesin shkelje disiplinore.

KALLXO.com më 07.02.2024 kishte njoftuar u.d. kryeprokurorin e shtetit, Besim Kelmendin lidhur me veprimet e ndërmarra nga prokuror Ali Ajdini që kishte trajtuar rastin e Agim Ademit. Një ditë më pas, më 08.02.2024 Kelmendi na kishte njoftuar përmes emailit duke treguar se rasti i është deleguar për trajtim Kryeprokurorit të Prokurorisë së Prishtinës, Zejnullah Gashit, si organi kompetent për ta trajtuar rastin.

Më 28.02.2024, Zejnullah Gashi në cilësinë e Kryeprokurorit të Prokurorisë së Prishtinës në shkresën njoftuese tregon se nuk do të ketë procedurë disiplinore për Ajdinin.

KALLXO.com më datë 06.02.2024 kishte raportuar se prokurori Ali Ajdini e kishte pezulluar procedurën penale pa dhënë pëlqimin siç ka pretenduar pala e dëmtuar.

Më datë 09.11.2023 KALLXO.com ka raportuar se kallëzimi penal për Agim Ademin dhe katër të tjerët është rrëzuar kurse më datë 24.11.2023 KALLXO.com ka raportuar se procedura penale ishte pezulluar për ti paraprirë  hedhjes së kallëzimit penal.

Historiku i rastit

Agim Ademi dyshohej se gjatë vitit 2021-2022 si person përgjegjës i FFK-së, ka bërë shmangie tatimore.

Sipas kërkesës për caktimin e paraburgimit, i dyshuari nuk kishte paguar tatime mbi të ardhurat dhe kontributet pensionale për blerjen e veturës së tipit “Tiguan” për zyrtarin e saj *** si person fizik në shumën prej 20 mijë euro, si dhe nuk ka paguar tatimin për transferimin e 37 mijë eurove në xhirollogaritë e disa personave.

Me këto veprime sipas prokurorisë ishte dëmtuar ATK në vlerë prej 8,337 euro.

Kurse për keqpërdorim besimi i njëjti dyshohej se në shkurt të vitit 2021 ka keqpërdorur pozitën e tij si kryetar i FFK-së që t`i sjellë vetes ose tjetrit dobi pasurore.

Sipas Prokurorisë, i njëjti në kundërshtim me Statutin e FFK-së kishte pagur tri bileta për udhëtim në shumë prej 3,900 euro me mjete të FFK-së.

“Këto bileta janë shfrytëzuar për vete, djalin e tij dhe bashkëshorten e tij, vajtje – ardhje Prishtinë – Stamboll dhe Katar”- thuhej në dosjen e Prokurorisë.

Prokuroria tutje pretendonte se i njëjti dyshohej se më datë 13.09.2021, si kryetar i FFK-së ka keqpërdorur autorizimet e tij për t`i sjellë tjetrit dobi pasurore.

Sipas prokurorisë i njëjti ka lejuar pagesën e faturës të datës 13 shtator 2021 e evidentuar në emër të *** si blerës, duke paguar me mjete të FFK-së shumën prej 20 mijë euro për blerjen e veturës ‘Tiguan’ 2017.

Gjithnjë sipas kërkesës së prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë – paraburgimit, Ademi më 23.03.2022, dyshohej se ka lejuar pagesën në shumë prej 25 mijë euro, kurse më 29.03.2022 shumën prej 12 mijë e 500 euro në xhirollogarinë private të ish kryetarit të KF “Feronikeli”, i cili pastaj i ka përdorur mjetet për nevoja private.

Sipas prokurorisë, dëmi që i është shkaktuar FFK-së është 37 mijë euro.

KALLXO.com më 29.11.2023 kishte pyetur prokurorinë nëse pala e dëmtuar kanë dhënë pëlqim lidhur me këtë rast, por që nuk kemi pranuar asnjëherë përgjigje nga ana e Prokurorisë.

Pyetjet e njëjta i janë dërguar edhe FFK-së më 12.12.2023, për të marrë versionin e tyre, por të cilët nuk na janë përgjigjur asnjëherë. Rastin KALLXO.com e kishte referuar në Agjencinë për Informim dhe Privatësi për të obliguar FFK-në që të kthente përgjigje, por që kjo kërkesë ka rezultuar pa sukses.

AIP më 15.02.2024 ka konstatuar se FFK në bazë të statutit dhe organizimit të brendshëm nuk e konsideron vetën si institucion publik por si organizatë jo-qeveritare dhe joprofitabile duke mos ju nënshtruar ligjit për qasje në dokumente publike.