Ilustrim: Pixabay

FFK-ja dënon kryetarin e FK  ‘Ulpiana 1926’ që dyshohet për kurdisje të ndeshjeve të futbollit

Komisioni Disiplinor dhe i Etikës i Federatës së Futbollit të Kosovës ka dënuar Jeton Gashin, kryetar i Klubit të Futbollit “Ulpiana 1926” me përjashtim nga futbolli.

Gashi, nga FFK po dyshohet për kurdisje të ndeshjeve të futbollit, por edhe për shpifje ndaj organeve të federatës dhe mashtrim të opinionit publik.

“Jeton Gashi, kryetar i KF ‘Ulpiana 1926’, nga Lipjani, për kurdisje të ndeshjeve, dhe akuzave drejtuar ndaj organeve të FFK-së, si dhe shpifje dhe mashtrim të opinionit i shqiptohet masa disiplinore ‘Përjashtim nga organizata e futbollit’”- thuhet në vendimin e Komisionit të FFK-së.

Dyshimet për kurdisje të Jeton Gashit, sipas vendimit të FFK-së janë evidentuar që në ndeshjen e zhvilluar më datë 7 prill 2024 në mes KF “Ulpiana 1926” dhe FK “Vllaznia”, ashtu si evidentohet në raportin zyrtar të delegatit, incizimeve televiziv, deklaratat konfidenciale, mesazhet telefonike, vendimi i datës 12.04.2024 i komisionit Disiplinor dhe prova tjera.

Po ashtu sipas këtij komisioni, Gashi është i dyshuar edhe për përfshirje edhe në raste të tjera të FK “Ulpiana 1926” me klube tjera, që lidhen me marrëveshje për kurdisje të rezultateve.

Sipas vendimit të Komisionit të FFK-së, Gashi dyshohet se ka qenë i përfshirë duke tentuar të kurdisë rezultatin një  ndeshjeje për një shumë prej 15 mijë eurove por që, siç thuhet në vendim, është parandaluar nga ish-nënkryetari i klubit (Ulpiana) dhe futbollistët.

Vendimin e tij, për përjashtimin e Gashit nga futbolli, Komisioni i FFK-së thotë se e mori duke u bazuar në Rregulloren Disiplinore të FFK-së.

Komisioni i Garave të Superligës dhe të Ligës së Parë të Federatës së Futbollit të Kosovës pat konstatuar se ndeshja në mes të KF “Ulpiana 1926” dhe KF “Vllaznia e Pozhoranit”, e zhvilluar në kuadër të javës së 21-të të Raiffeisen Liga e Parë, grup B, ishte e kurdisur.