Gjykimi i zyrtarëve të AKP-së | Foto : KALLXO.com

Zyrtari i AKP-së Rrëfen për Arrestimin e Tij

Fevzi Hajdari, njëri nga dy zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit të akuzuar për marrje ryshfeti dha versionin e tij për ngjarjet që e sollën para gjykatës.

Fillimisht, i akuzuari rrëfeu se si lindën kontaktet në mes tij dhe të dëmtuarit Ramush Misini.

Ky i fundit pretendon se dy të akuzuarit i kanë kërkuar 20.000 euro për regjistrimin e pronës, pasi prona që Ramush Misioni dëshironte ta regjistrointe në emër të tij kishte një borxh prej 517 mijë euro për mospagesë tatimi në Administratën Tatimore të Kosovës.

Sipas Hajdarit, i dëmtuari Misini e kishte ngritur një skemë mashtrimi për të.

I akuzuari Fevzi Hajdari tha në gjykatë se ende pa e njohur personalisht të dëmtuarin Ramush Misini, i njëjti kishte tentuar vazhdimisht të takohej me të, ashtu që kishte vizituar shtëpinë e tij disa herë në kohën kur i Hajdari tha se ndodhej aty.

Në rastet kur tani i akuzuari nuk është gjendur në shtëpi, Hajdari tha se Misini kishte biseduar me nënën e tij duke u munduar të tregonte një afërsi familjare përmes disa personave të njohur për nënën e tij.

Më tej, ai deklaroi se një pasdite, pas kthimit të tij nga puna, me të hapur derën e veturës për të hyrë në oborr, Misini kishte qenë duke e pritur tek dera e shtëpisë dhe i njëjti i kishte ndihmuar për hapjen e derës së makinës.

Më t’u prezantuar, Hajdari e kishte kuptuar se ky ishte personi që nëna i kishte treguar se po e kërkonte që disa herë me radhë në shtëpi.

“Ai filloi të flasë në lidhje me një çështje të tijën që kishte të bënte me një tatim. Unë i thashë se për çdo çështje që ka të bëjë me institucione, duhej t’i drejtohej institucionit përkatës me shkrim. Gjithashtu, i tregova se çështja e tij nuk kishte të bënte fare me AKP-në, vendin ku punoj”, deklaroi Hajdari.

Edhe Ramush Misini kur dëshmoi në mars të këtij viti, tha se mik pas miku e kishte gjetur Fevzi Hajdarin për t’ia qarë hallin rreth pronës së tij të paregjistruar, pasi për të kontaktuar me Hajdarin e kishte udhëzuar dikush nga AKP-ja.

http://kallxo.com/deshmitari-kerkuan-20-mije-euro-per-regjistrim-te-prones/

Në gjykatë, i akuzuari Hajdari tregoi se edhe pas disa ditëve, Ramush Misini e kishte kontaktuar përsëri në telefon dhe kishte kërkuar të takoheshin.

Në atë moment, Hajdari tha se ishte në pritje për larje të veturës, me ç’ rast edhe kishte pranuar të pinte kafe me të gjatë asaj kohe.

“Për mua ishte e çuditshme se si kishte njohuri se ku ndodhem unë, sepse pas telefonatës menjëhrë pas 2 minutave erdhi tek vendi ku isha unë”, tha i akuzuari Hajdari.

Kur ishin takuar në autolarje, sipas të akuzuarit, Misini i kishte treguar për afërsinë familjare që kishte me Hajdarin, pasi që i njëjti ishte nga Vitia.

Në bisedën e sipër, të dy kishin filluar të shpalosnin problemet që kishin, kështu duke krijuar një lloj besimi në mes vete.

“Unë ia tregova një çështje timen personale, të cilën ai e kuptoi dhe u shfaq shumë insistues për të më ndihmuar në çfarë do mënyre”, shpjegoi Hajdari.

Por, pa marrë parasysh se sipas Hajdarit kjo çështje kishte qenë shkaku kryesor se pse gjendej në gjykatë, ai refuzoi t’i tregonte trupit gjykues se për çfarë bëhej fjalë.

“Mund të kem pasoja familjare”, i tha Hajdari kryetarit të trupit gjykues, Beqir Kalludra.

I gatshëm për t’i ndihmuar, Hajdari deklaroi se i dëmtuari Ramush Misini i kishte ofruar 15.000 euro për të zgjidhur problemin në fjalë.

“Kam hezituar për t’i pranuar paratë për arsye se nuk e dija se sa shpejt mund t’ia ktheja, pavarësisht se ai nuk kërkonte një kohë precize të kthimit”, tha i akuzuari.

Ai më tutje ofrimin e këtyre parave nga Ramush Misini e konsideroi skenar të parapërgatitur të një skeme mashtrimi.

“Ai më ofroi para në shumën prej 15.000 eurove, shumën e precizoi vetë ai, unë kurrë nuk i kam kërkuar, por ai kishte qenë i përgatitur për një skenar tjetër për të cilën unë fare nuk kisha dijeni se ai kishte ngritur një skenë mashtrimi ndaj meje, kishte qenë i përgatitur mirë dhe i përkrahur mirë nga njerëz të cilët nuk i njoh”, tha Hajdari.

Hajdari tha se Ramush Misini në njërën nga bisedat i kërkoi që të shkonte në Administratën Tatimore të Kosovës për t’u intresuar për pronën e paregjistruar të Misinit.

“Unë e kisha të qartë dhe ai e kishte të qartë se si zyrtar i AKP-së e kisha ndikimin zero në ATK, sepse është një institucion tjetër, por pranova që vetëm të shkoja dhe të bëja pyetje”, tha i akuzuari.

Sipas të akuzuarit, në ditën kur kishte shkuar në ATK, ai kishte shkuar si qytetar i thjeshtë, e jo si zyrtar i AKP-së.

Biseda me personat  ATK-së në Prishtinë kishte zgjatur 3-4 minuta, ku pas asaj, me të dalë nga ATK-ja edhe Fevzi Hajdari ishte arrestuar.

Pyetjes së avokatit të tij, Ramë Gashi, se a i ka ofruar dikujt ryshfet gjatë kohës që ka qenë në ATK, i akuzuari iu përgjigj me fjalët  “në asnjë mënyrë, kjo mund të vërtetohet nga zyrtarët e ATK-së”.

Ndërsa ghyqtari Beqir Kalludra kërkoi të dijë se pse nuk e ka ballafaquar të dëmtuarin me këto rrethana gjatë dhënies së dëshmisë.

“Ai ka mohuar faktin se na njeh dhe një pyetje e tillë dukej e pakuptimtë”, tha i akuzuari.

Fevzi Hajdari dhe Taulant Tahirsylaj të dy zyrtarë të AKP-së po akuzohen për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, Hajdari dhe Tahirsylaj si persona zyrtarë në AKP me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për ta shlyer borxhin në Administratën Tatimore të Kosovës prej 517 mijë eurove për pronën që dëshironte ta regjistronte Ramush Misini, keqpërdorën detyrën duke ia kërkuar atij 20 mijë euro.