Inspeksioni i Prishtinës i përgjigjet ministrit të Bujqësisë

Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Prishtinës ka reaguar të enjten më 21.03.2024 pas shkrimit të ministrit të Bujqësisë, Faton Peci se po përballen me sabotim nga Komuna e Prishtinës që t’i zbatojë aktgjykimet e formës së prerë të shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, për t’i liruar hapësirat të cilat sipas tij, vepron njëri nga operatorët ekonomik në mënyrë të kundërligjshme, pronë kjo e Ministrisë së Bujqësisë.

Për këtë, drejtori i Inspekcionit në komunë, Florian Dushi është shprehur se lirimi i pronave të Ministrisë nuk është përgjegjësi e komunës dhe nuk do veprojnë në kundërshtim me ligjin.

Dushi përmes një komunikate për media ka theksuar se “Mbrojtja dhe lirimi i pronave të ministrisë që udhëheqë ministri është përgjegjësi e tij dhe e institucionit që ai drejton, dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me Kryeqytetin apo Inspektoratin e Kryeqytetit” – thuhet në komunikatën e Drejtorisë së Inspekcionit.

“Sapo i dërgova kërkesë ministrit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës z.Liburn Aliu, që përmes kompetencave që ka kjo ministri, të asistojë në implementimin e aktgjykimit”- ka shkruar tutje ministri Peci në rrjetin social Facebook.

Dushi potencoi rëndësinë e mirëkuptimit të qartë të detyrave dhe përgjegjësive të caktuara nga legjislacioni në fuqi, duke vënë në dukje rolin specifik dhe të pavarur të Inspektoratit të Kryeqytetit në këto procese.

“Inspektorati i Kryeqytetit mbron dhe liron, sipas autorizimeve ligjore, vetëm pronën publike – atë të Kryeqytetit. Pavarësisht kësaj, ne kemi qenë gjithmonë bashkëpunues dhe kemi organizuar disa takime me zyrtarët e Ministrisë për t’i ndihmuar në sqarimin e procedurave ligjore dhe veprimeve të nevojshme për lirimin e pronës së tyre”-  ka shtuar tutje Dushi.

Dushi shtoi se si drejtori  “ishim të gatshëm të asistojmë edhe përmes kompanisë sonë të kontraktuar për rrënimin e ndërtimeve pa leje, por kemi marrë udhëzime nga Zyra Ligjore e Kryeqytetit se kontrata jonë vlen vetëm për Komunën e Prishtinës dhe nuk mund të aplikohet për institucione të tjera”- shtoi tutje ai në komunikatë.

Inspektorati i Kryeqytetit tutje potencon se “nuk mund dhe nuk do të veprojë në kundërshtim me kontratën dhe ligjin, duke i përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e të tretëve, në këtë rast të ministrit Peci”- thuhet për fund në komunikatës.