Njëri nga të dyshuarit për grabitjen në Suharekë, po gjykohet në Prishtinë për tjetër vepër penale

Trim Baraku, njëri nga katër të dyshuarit lidhur me rastin e grabitjes në Suharekë që kishte ndodhur më 22.11.2023, është duke u gjykuar në Gjykatën e Prishtinës për një tjetër vepër penale.

Baraku ishte arrestuar për rastin e grabitjes në Suharekë, në cilësinë e pronarit të një argjendarie në Prishtinë. Ndërsa, tashmë në Prishtinë i njëjti po gjykohet se ka blerë sende të cilat ishin përfituar nga kryerja e veprës penale.

Baraku u paraqit në Gjykatë i rrethuar me një numër të konsideruar të policëve, por i njëjti ishte pa avokat.

I akuzuari fillimisht nuk ishte në dijeni se për çka akuzohej, kurse pasi iu sqarua akuza nga gjyqtari, i njëjti ishte në dijeni për akuzën.

‘Nuk është t`u m`ra në mend hiq niher. Jom kan nburg për rast tjetër e s`po di për çka, veç spo muj e di (nuk kuptohet). Kush është ky R. B. ( tashmë i vdekur)?”- tha i akuzuari Baraku.

Pasi gjyqtari Sabit Sadikaj i tregoi rastin, i njëjti pranoi se i kujtohet rasti dhe më pas u ftua që të deklarohet lidhur me fajësinë.

“Unë e kam lokalin, argjendari, s`po di tash qysh fajtor, e kam ble – e kam kthy. Qeta e kam njoft kojshi e kam pas. Fajtor nuk e nij (veten) se unë blej, blej argjend e ari” – tha Baraku.

I njëjti pas këtij deklarimi kërkoi që të shtyhet seanca që të konsultohet me avokatin e tij, lidhur me deklarimin fajtor apo jo për këtë vepër penale.

Gjykimi u shtye pas kërkesës së Barakut dhe lënda u veçua për të, pasi që i akuzuari tjetër, Endrit Maxhuni u deklarua se nuk ndihet fajtor për veprën që i vihej në barrë.

Trim Baraku akuzohet se më 16.12.2021 ka blerë sende për të cilat ka mundur të dijë se janë marrë nga kryerja e veprës penale.

Sipas aktakuzës së prokurorisë të datës 11.08.022, Baraku ka blerë një veturë dhe një zigjir të arit në pronësi të dëmtuarit S. Q., dhe një llaptop pronë e të dëmtuarit S. A.

Këto gjësende sipas prokurorisë nga Baraku janë blerë më çmime jo proporcionale nga ato të tregut.

Për këtë vepër Trim Baraku akuzohet për blerje të sendeve të cilat janë fituar nga kryerja e veprës penale.

Së bashku me Barakun në këtë rast i akuzuar është edhe Endrit Maxhuni për veprën e njëjtë penale.

Sipas prokurorisë, Baraku më 22.12.2021 ka blerë veturën e tipit “Opel Astra” në një shumë jo proporcionale me çmimin real nga i pandehuri R. B. (i akuzuar çështje tjetër penale, tashmë i vdekur).

Kjo veturë ishte raportuar e vjedhur nga e dëmtuara S. Q.

Në rastin e grabitjes në Suharekë të dyshuar pos Barakut janë edhe Bujar Basha, Besart Istrefi dhe Leutrim Cakolli.