Foto: PSD

PSD-ja mban Kuvendin Zgjedhor, Dardan Molliqaj rizgjidhet kryetar i partisë

Partia Socialdemokrate (PSD) ka zgjedhur sot organet drejtuese të partisë për katër vitet e ardhshme.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka marrë votat për edhe një mandat në krye të kësaj partie.

“Me shumicë votash, u zgjodh Këshilli Drejtues i përbërë nga 101 anëtarë, Kryetari i partisë, Dardan Molliqaj me 123 vota pro, 1 votë kundër dhe 4 abstenime. Gjithashtu u bën disa plotësime dhe ndryshime statusore”- ka njoftuar PSD.

Kjo parti përmes një postimi në Facebook ka kritikuar partinë në pushtet Lëvizjen Vetëvendosje.

“PSD angazhohet për liri, barazi, mirëqenie dhe qytetari aktive. Përballë pushtetit autoritar dhe populist, ne qëndrojmë të palëkundur në vlerat tona progresive. Ashtu siç jemi angazhuar deri më sot, edhe në të ardhmen PSD-ja do të jetë kundërshtare e pakompromis ndaj këtij pushteti”- thuhet në njoftim.

Në dhjetor të vitit 2023, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), kishte pezulluar PSD-në si parti politike, pasi që nuk kishte mbajtur Kuvendin Zgjedhor brenda afatit.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, e kishte quajtur si dashakeqësi ndaj PSD-së, pezullimin si parti politike nga ana e KQZ-së.