Visar Ymeri | Foto: LVV

Ymeri: Dialogu me Serbinë është Ndalur

Duke iu drejtuar strukturave të subjektit që drejton në mbledhjen XXVI të Këshillit të Përgjithshëm të “Vetëvendosjes”, kryetari i saj Visar Ymeri tha se dialogu i Kosovës me Serbinë në Bruksel është ndalur, ngase nuk ka mbështetje popullore.

“Sot e jetojmë një realitet tjetër, të pamenduar kohë më parë. Sot nuk ka vazhdim të dialogut me Serbinë. Ky proces praktikisht është ndalur,” tha Ymeri.

Ai deklaroi se dialogu nuk po zhvillohet më, ngase si ai, po ashtu edhe marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi janë diskredituar.

Por, kreu i “Vetëvendosjes” tha se përkundër ndalimit të këtyre proceseve të dëmshme, ata që i bënë këto dy marrëveshje nuk kanë dhënë llogari.

Ymeri foli edhe rreth Ligjit për Trepçën të miratuar në Kuvend më 8 tetor.

Tha se ky ligj nuk po i kushton rëndësi rivitalizimit të kompleksit të mineraleve, por privatizimit të tij.

“Ligji për Trepçën nuk përqendrohet të nevoja e rivitalizimit dhe funksionalizimit të plotë të Trepçës, duke investuar kapacitetet tona publike në të, por perqendrohet te hapja e rrugës për investime private të cilat mbase, varësisht studimit të famshëm të fizibilitetit, e rivitalizojnë Trepçën,” tha Ymeri.

Ai kujtoi edhe njëherë se pse kërkoi që vlerat e UÇK-së të mbrohen me kushtetutë.

“Dëshmorët e flijuan privaten e tyre në funksion të së mirës së përgjithshm e publike. Përfaqësuesit e regjimit sot të mirën e përgjithshme e publike e kanë shndërruar në pasuri të tyren private,” tha Ymeri.

Ai përmendi edhe gjashtë aktivistët e “Vetëvendosjes”, tre nga të cilët po mbahen të paraburgosur, e tre të tjerë në arrest shtëpiak nën dyshimet për sulmin me mjet shpërthyes në Kuvend më 4 gusht.

Tha se ata po mbahen nën këto masa e po hetohen vetëm pse janë aktivistë të “Vetëvendosjes”.