Foto: KALLXO.com

'Fati' i 'Artmotion' në KPM varet nga vendimi i Gjykatës Komerciale

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) sot pati mbledhjen e radhës në të cilën ndër pikat e rendit të ditës ishte edhe çështja e vazhdimit të licencës së kompanisë “Artmotion”, pas kërkesës që kishte bërë ky operator muaj më parë.

KPM-ja vendosi që këtij operatori t’i vazhdohet ose ripërtërihet licenca me rekomandim të Zyrës Ekzekutive, ngase nuk ka pengesa ligjore, por me disa kushte.

Vazhdimi i licencimit të “Artmotion” varet deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Komerciale lidhur me pezullimin e certifikatës së këtij biznesi nga ARBK-ja.

Rjedhimisht, derisa të ketë një vendim gjyqësor meritor, “Artmotion” do t’i vazhdohet licencimi në KPM, e nëse gjykata merr vendim të pafavorshëm për të, mund të çojë në marrjen e tërësishme të licencës nga KPM-ja.

“Faktet që janë marrë parasysh në analizë janë vendimi i ARBK-së për pezullim të certifikatës të datës 22.6.2022, vendmi për pezullim është apeluar, dhe është lënë në fuqi vendimi për shtyrje të ekzekutimit, nuk ka një vendim përfundimtar. Kërkesa për ripërtëritje të licencës është në pajtim me dispozitat ligjore, dhe i plotëson kushtet, nuk ka pengesë ligjore. Por një vendim i tillë sipas zyrës duhet të vlejë deri në marrjen e një vendim gjyqësor me të cilën shpallet e pavlefshme certifikata e biznesit” – u tha në mbeldhjen e sotme të KPM-së.

“Vendimi për vazhdimin e licencës kushtëzohet deri në një vendim meritor të gjykatës” – u shpreh kryetar i Bordit të KPM-së, njëherësh kryesues i mbledhjes, Jeton Mehmeti.

Ai shtoi se ka parasysh edhe shkeljet e fundit që janë bërë nga ky operator, për të cilat KPM-ja e kishte sanksionuar me gjobë prej 64 mijë eurosh.

Përveç “Artmotion”, ripërtëritje të licencës kërkuan edhe Radio Alba, Radio Besa, Radio Graçanica, Radio Kosova e lirë, Radio Puls, Radio Gora, Radio Vizioni, Radio Vala Rinore, Radio Kontakt Plus, Radio Capital FM.

Kurse, ndryshim të pronësisë së tyre kërkuan Radio Capital FM, Radio Vizioni, TV Dielli, TE 7, J&B Net.

Në këtë mbledhje u bë edhe Raportimi i Kryeshefit Ekzekutiv, aprovimi i objektivave dhe Plani i Veprimit për vitin 2024.

Gjithashtu u miratua edhe raporti tremujor të punës së KPM-së për periudhën tetor-dhjetor 2023.

Objektivat e KPM-s për 2024

    1. Mbrojtja e përdoruesit /qytetarit nga përmbajtjet  e dëmshme me fokus mbrojtjen e fëmijëve, adresimi i ankesave,  shqyrtimi i rregulloreve aktuale dhe të reja, mbrojtja nga dezinformimi dhe keqinformimi;
    2. Promovimi i një tregu të shëndoshë medial duke luftuar opertaorët ilegalë;
    3. Rritjen e transparencës së mediave përmes hulumtimeve në tregun medial me fokus në implementim e rregullores së pronësisë së mediave;
    4. Shfrytëzimi efikas i frekuencave me koordinim më të mirë me vendet fqinjë;
    5. Rritja e integritetit përfshirë rritjen e mirëqenies së punonjësve të KPM-së.

    Si nënobjektiv u përmend digjitalzimi i shërbimeve të licencimit, ankimimit, qasje në informacion, dhe bashkëpunimi me donatorë.