Shirine Morina. Foto: TKK.

Mbahet mbledhje komemorative në nderim të aktores Shirine Morina

Një mbledhje komemorative është mbajtur më 15.04.2024, në Teatrin Kombëtar të Kosovës për të nderuar aktoren Shirine Morina, e cila ka vdekur të dielën, më 14.04.2024, në moshën 72 vjeçare.

Kolegë të aktores, miq e familjarë thanë gjatë kësaj mbledhjeje se Shirine Morina ishte një aktore e mrekullueshme e cila gëzonte respektin e të gjithëve.

Kushtrim Sheremeti, drejtor i TKK-së, tha se e ndjera ishte një aktore shembullore e cila la gjurmë të pashlyera në historinë e TKK-së.

“Ajo pati një rrugë të gjatë artistike me rolet e saja duke demonstruar talent të pashoq dhe ndjeshmëri të jashtëzakonshme me interpretimet e saj në shfaqjet e teatrit”- tha ai.

Ndërsa, Kumrije Hoxha, aktore, tha se Shirine Morina ishte një aktore dhe njeri i mrekullishëm.

“Shirinja ishte një aktore që e donte publiku, e shtëpia e saj ishte gjithmonë e hapur për miqtë, pa të cilët ajo nuk mund të jetonte”- ka thënë aktorja Hoxha.

Ndërsa, nipi i aktores, Vigan Morina tha se pavarësisht sfidave, Shirine Morina arriti ta realizojë ëndrrën e saj.

 “Largimi i saj la një boshllëk të madh në familjen tonë. Ajo kishte cilësi që e veçonin dhe aftësi të jashtëzakonshme duke i sfiduar tabutë e kohës. Kur të gjithë ishin kundër saj, ajo vazhdonte ëndrrën”- tha Morina.

Aktorja Shirine Morina ka lindur në vitin 1951 në Prishtinë. Studioi aktrimin në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, ndërsa nga viti 1969 e deri në pension ishte aktore në TKK.

Gjatë karrierës së gjatë, ajo ka interpretuar në shfaqje të ndryshme teatrore, drama e komedi, filma e seriale televizive, duke përjetësuar emrin e saj në historinë e teatrit dhe filmit kosovar.

Ndër të tjerash, Shirine Morina ka luajtur në shfaqjet: Gjenerali i ushtrisë së vdekur”,  “Makbethi”, “Golgota”, “Hotel Kashta”, “Dasma e përgjakur”, “Retrovizori”, etj.  Morina ka luajtur edhe në filma e seri televizive:  “Era dhe Lisi”, “Kur pranvera vonohet”, “Përroi vërshues”, “Cimerat”, etj.

Aktorja Morina është varrosur sot, më 15.04.2024, në Varrezat e Qytetit në Prishtinë.