Rrustem Mustafa duke pranuar dekoratën nga presidenti Thaçi, Foto: Facebook

YIHR Reagon Ndaj Dekorimit të ‘Kriminelëve të Luftës’ nga Presidenti

Organizata Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR Kosovë) ka dënuar vendimin e presidentit Hashim Thaçi për ta dekoruar me Medalje Presidenciale Jubilare ish-komandantin e Zonës Operative të Llapit të UÇK-së me rastin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Kjo organizatë rikujton se në vitin 2015, Rrustem Mustafa, i njohur si “Remi”, u dënua me katër vjet burg për krime lufte nga Gjykata e Apelit, ku bashkë me të ishin dënuar edhe dy bashkëluftëtarët e tij, Nazif Mehmeti dhe Latif Gashi.

Në bazë të aktvendimit, Rrustem Mustafa u shpall fajtor për krime të luftës për shkak të trajtimit çnjerëzor të civilëve të paraburgosur dhe krime të luftës për shkak të rrahjes dhe torturimit të civilëve të paraburgosur.

Për më shumë, shton organizata, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë dhe ka lëshuar aktgjykim të formës së prerë për të akuzuarit.

“Përderisa Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nderon kriminelë të luftës, familjarët e më se 1600 personave të pagjetur ende nuk dinë asgjë për fatin e më të dashurve të tyre”, thekson YIHR.

http://kallxo.com/thaci-dekoron-komandant-remin/

“Në njerën anë, z. Thaçi ka inicuar themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, ndërsa në anën tjetër vazhdon të promovojë dhe legjitimojë dhunën dhe krimet e kryera përgjatë luftës së fundit”, thuhet në komunikatën e kësaj organizate.

Organizata u bën thirrje të gjitha institucioneve publike në Kosovë që të ndalojnë nderimet e kriminelëve të luftës dhe të përqendrohen në njohjen dhe arritjen e drejtësisë për viktimat, të mbijetuarit/at dhe personat e pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

“Drejtësia dhe liria për të gjithë qytetarët e Kosovës nuk do të jetë e mundur përderisa kriminelë të luftës dekorohen dhe thirren në parime të lirisë dhe pavarësisë”, thuhet në reagim.