Tragjedia në Shkodër, Policia ende nuk ka gjetur trupat e nënës dhe dy fëmijëve të tjerë

Policia e Shqipërisë po kërkon trupat e A.A 39 vjeçare dhe fëmijëve të saj.

Ata dyshohet se kanë kryer vetëvrasje në lumin Buna në Shkodër.

Më 05.05.2024, Policia e Shtetit njoftoi se një vajzë nëntë vjeçare dyshohet se kreu vetëvrasje në Shkodër si pasojë e dhunës në familje nga babai i saj.

Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Gent Mullai ka thënë per KALLXO.com se ende nuk janë gjetur dy fëmijët dhe nëna.

“Po vijojnë intensivisht kërkimet” – deklaroi Mullaj.

Policia e Shtetit shqiptar thotë se hetimet zbardhin rastin se për shkak se 31 vjeçari E.A shkaktoi dhunë ndaj bashkëshortes dhe tre fëmijëve, vajza e tij 9 vjeçare kreu vetëvrasje.

31 vjeçari u arrestua nga Policia.

Trupi i pajetë i 9 vjeçares që dyshohet se kreu vetëvrasje u gjet në lumin Buna.

Policia thotë se zhytësit po kërkojnë edhe bashkëshorten dhe dy fëmijët e tjerë të 31 vjeçarit. Dyshohet se edhe ata kanë kryer vetëvrasje.

“Menjëherë pas kallëzimit të shtetasit E. A., 31 vjeç, të bërë më datë 03.05.2024, se më datë 02.05.2024, ishin larguar nga banesa, bashkëshortja e tij, shtetasja A. A., 39 vjeçe dhe 3 fëmijët e tyre të mitur (9, 8 dhe 3 vjeç), u ngrit një grup i posaçëm hetimor për të hetuar shkaqet e largimit nga banesa” – thuhet mes tjerash në komunikatën e Policisë.

Në komunikatë thuhet se nga hetimet e kryera dyshohet se shkaku i largimit nga banesa ishte dhuna e ushtruar nga E.A.

I dyshuari për këtë rast, më herët ishte i dënuar për kultivimin e bimëve narkotike.

Trupi i pajetë i nëntë vjeçares u gjet në lumin Buna, në fshatin Darragjat rreth orës 22:00 të datës 04.05.2024.

Mbytet një 9-vjeçare në lumin Buna, Policia në kërkim të nënës dhe dy fëmijëve të tjerë

Tragjedia në Shkodër, reagon ministri i Brendshëm i Shqipërisë