Donika Kadaj- Bujupi, deputete e Vetëvendosjes. Foto: Kallxo.com

Xhavit Haliti ia Ndal Mikrofonin Donika Kadajt

Kryesuesi i seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ia ka ndërprerë fjalimin deputetes së Vetëvendosjes, Donika Kadaj- Bujupi, pasi kjo e fundit tejkaloi minutazhën e lejuar në foltore.

Deputetja e aderuar së fundmi nga AAK në Vetëvendosje po fliste për situatën në veri të Kosovës dhe po e kritikonte qeverinë për ngecjet në vendosjen e rendit dhe sovranitetit shtetëror në atë pjesë të Kosovës.

“Sot pas 17 vite të mbarimit të luftës dhe 8 vite pavarësi të Kosovë le që nuk arriti të anëtarësohet në OKB por nuk po arrin ta shtrijë sovranitetin dhe territorialitetin e vendit as deri në Mitrovicë”, tha Kadaj- Bujupi.

Ajo kritikoi edhe vonesat e hapjes së urës mbi lumin Ibër.

“Në qershor të vitit 2016 është dashtë të zbatohet marrëveshja çlirimi i urës së Ibrit që e ndau Kosovën. Me marrëveshjen e 26 gushtit do të duhej të zbatohet marrëveshja në këtë muaj”, tha ajo.

Por Haliti ia ndërpreu Kadajt fjalimin.

“Shko n’vend t’lutem, nuk ke të drejtë ta thesh rregulloren”, i tha asaj Xhavit Haliti që po e drejton seancën e sotme në mungesë të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.