19 janar 2024. Foto: KALXLO.com

Kërkesa për dënim me “mesazh publik” shkakton debat në gjykimin në të cilin akuzohet Xhavit Haliti

Në seancën përfundimtare për rastin e sulmit të 18-majit të vitit 2018 në Kuvendin e Kosovës, në të cilin akuzohet deputeti Xhavit Haliti për sulm me dashje ndaj deputetit Arben Gashi, mbrojtja e këtij të fundit i propozoi gjykatës që të jepet një dënim që dërgon mesazh publik.

“I propozoj gjykatës që të akuzuarin ta shpall fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit në atë mënyrë që edhe në publik të dërgohet mesazh i drejtë se të gjithë jemi të barabartë para ligjit”- tha avokati Ahmet Tahiri.

Avokati i deputetit Xhavit Haliti, Kujtim Kërveshi iu kundërvye Tahirit duke thënë që dënimet me qëllim që të japin mesazhe publike janë dhënë vetëm gjatë kohës së inkuzicionit. 

“Duke qenë se po kërkohet të jap mesazh publik, gjykimet me mesazhe publike janë  dhënë në kohën e inkuzicionit, sidomos në pjesën ku jetojmë përveç në vendet e tiranisë aty ku është zbatuar Konventa për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, gjykimet nuk bëhen në publik”- tha Kërveshi.

Edhe Prokurori i Shtetit, Besnik Jakupi, i propozoi Gjykatës së Prishtinës që të akuzuarin të shpallë fajtor dhe të dënojë sipas ligjit. 

Avokati Kërveshi theksoi që fjala përfundimtare e Prokurorit të Shtetit dhe mbrojtjes të Arben Gashit nuk është në përputhje. Sipas tij, provat në shqyrtim nuk janë thenie të prokurorit as përfaqësuesit të palës së dëmtuar, por të sakta dhe autentike të palës së dëmtuar. 

Sipas Kërveshit, video-incizimet të përdorurar si prova nga gazetarët, ai thotë që shihet që Xhavit Haliti nuk ka qenë as duke e shikuar Arben Gashin.

“As Arben Gashi nuk ka thënë që Xhavit Haliti e ka sulmu”- tha ai, duke shtuar që edhe vetë Arben Gashi në një studio televizive e ka pohuar se “nuk jam ndi asnijere i intimidum as i rrezikum fizikisht” ku flet edhe për rastin e Halitit e Dreshaj.

Çka thotë aktakuza për këtë rast?

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurorja e shtetit Merita Shala-Muhaxhiri, më 18 maj 2018, në Kuvendin e Kosovës, Xhavit Haliti me dashje e kishte sulmuar deputetin Arben Gashi.

Aktakuza përshkruan se Haliti e kishte shtyrë me krah dhe bërryl – në gjoks Gashin, duke kryer kështu veprën penale sulmi.

Gjithnjë sipas dosjes, në këtë rast ishte i përfshirë edhe deputeti Gani Dreshaj, që ngarkohej se e kishte kanosur deputetin e LDK-së, Arben Gashi.

Sipas përshkrimit të aktakuzës, Dreshaj i kishte thënë Gashit “kom me ta prishë ftyrën” duke i shkaktuar këtij të fundit frikë dhe ankth, duke kryer kështu veprën penale kanosje.

Prokuroria përmes aktakuzës me urdhër ndëshkimor kishte kërkuar dënim me gjobë pa shqyrtim gjyqësor për të pandehurit. Për secilin ishte shqiptuar gjobë në vlerë 1,250 euro.

Dreshaj nuk e kishte kundërshtuar gjobën e shqiptuar nga gjykata ndërsa mbrojtja e Halitit e kishte kundërshtuar dënimin. Me këtë rast shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar vetëm ndaj Xhavit Halitit.

Pranimi i kundërshtimit të ushtruar nga Xhavit Haliti ka shkaktuar mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor për të vendosur edhe njëherë për rastin në fjalë vetëm për të, por jo edhe për Dreshajn.