Xhavit Haliti, i akuzuar, seanca 04.01.2024, Foto:KALLXO.com
Vendimi i gjykatës për Xhavit Halitin në lidhje me sulmin ndaj Arben Gashit në Kuvend
Gjykata e Prishtinës e ka gjetur fajtor dhe e ka dënuar deputetin e PDK-së, Xhavit Halitin, i akuzuar për sulm ndaj deputetit të LDK-së. Arben Gashit, më 18 maj të vitit 2018 në Kuvendin e Kosovës.
Haliti u dënua me gjobë prej 1 mijë euro.
Dosja e prokurorisë përshkruan se Haliti me dashje e kishte shtyrë me krah dhe bërryl – në gjoks Gashin, duke kryer kështu veprën penale sulmi.
Ky rast ishte zvarritur në gjykatë, ku alarmin për parashkrimin e lëndës e kishte dhënë avokati që mbron deputetin e LDK-së Arben Gashin, Ahmet Tahiri.
Tahiri kishte thënë se kjo lëndë qëllimisht po zvarritet me qëllimin që të parashkruhej.
Në këtë rast ishte i përfshirë edhe ish-deputeti i AAK-së, Gani Dreshaj, që ngarkohej se e kishte kanosur deputetin e LDK-së, Arben Gashi.
Sipas dosjes së prokurorisë, Dreshaj i kishte thënë Gashit “kom me ta prishë ftyrën” duke i shkaktuar këtij të fundit frikë dhe ankth, duke kryer kështu veprën penale kanosje.
Prokuroria përmes aktakuzës me urdhër ndëshkimor kishte kërkuar dënim me gjobë pa shqyrtim gjyqësor për të pandehurit. Për secilin ishte shqiptuar gjobë në vlerë 1,250 euro.
Dreshaj nuk e kishte kundërshtuar gjobën e shqiptuar nga gjykata ndërsa mbrojtja e Halitit e kishte kundërshtuar dënimin.
Me këtë rast shqyrtimi gjyqësor kishte vazhduar vetëm ndaj Xhavit Halitit.