
Kuvendi më 2 maj diskuton për raportin e DASH-it
Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH) do të diskutohet të enjten, më 02.04.2024 në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës.
Deputeti Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se gjetjet e raportit do ta ballafaqojnë në Kuvend pozitën dhe opozitën, me ç’rast presin llogaridhënie nga kryeministri, Albin Kurti.
“Ky raport në esencë e godet për herë të parë dhe e targeton Qeverinë si një institucion i cili ka probleme serioze me çështjen korrupsionit dhe çështje të tjera” – tha Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Raporti i DASH-it ka evidentuar probleme në pavarësinë e gjyqësorit dhe kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe të mediave, dhe si i tillë është parë si shqetësues nga opozita vendëse.
Debati për raportin, sipas deputetit Armend Muja (Lëvizja Vetëvendosje) do të pasohet me votimet e marrëveshjeve ndërkombëtare, miratimi i të cilave sipas tij, po pamundësohet nga mungesa e deputetëve opozitarë.
Besnik Tahiri po ashtu tha se kërkesa për të debatuar për tri vjet të Qeverisë është miratuar, mirëpo për shkak të agjendës së Kryeministrit, i cili nuk është në Kosovë do të diskutohet për raportin e DASh-it.
“Kjo Qeveri është më e dobëta në historinë e Kosovës” – shtoi Tahiri.
Tri partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK kishin kërkuar të mbahet debat për gjetjet e raportit të Departamentit amerikan të Shtetit(DASH), edhe në seancën e mbajtur më 25.04.2024.
Por, ky propozim nuk kishte marrë votat e nevojshme për të hyrë në rend të ditës të seancës plenare për shkak të kundërshtimit të deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje.