Liridon Osmani

VIDEO - Viktima rrëfen momentin e plagosjes në prezencën e policisë

Emisioni ‘Drejtësia në Kosovë’ sonte ka transmetuar rrëfimin e Liridon Osmanit nga Vushtrria i cili ka treguar ekskluzivisht se si ishte plagosur derisa ishte duke u ruajtur nga Policia e Kosovës  më 9 maj të këtij viti.

Ai ka rrëfyer momentin e plagosjes dhe mënyrën se si ishte vendosur të përcillej nga Policia e Kosovës prej stacionit policor të Vushtrrisë deri në shtëpinë e tij në fshatin Sllatinë.

“Kur kemi mbërri te vendi i incidentit, patrulla e policisë ka qenë duke vazhduar përpara unë duke vazhdu mbrapa tyre e kam pa që janë ata. Ilmisë i kam thanë që këta janë tyre paskan dalë me na blloku rrugën dhe aty dihet çka pritet. Më ka thanë ‘ti vazhdo se je me neve’, dhe unë kam deviju rrugën dhe aty kam dëgjuar të shtëna”, tha Osmani duke shtuar se zyrtari policor që ishte në veturë me të nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim.

“E kam vërejtë se me ka kapë plumbi në pjesën e majtë, e kam pa që m’u ka nxehë trupi dhe kur e kam prekë e kam pa që kam gjak. Kur e kam kthy kokën nga polici e kam pa që ish hy te karriga aty poshtë dhe mendova që e kanë vra atë dhe në momentin që kam dalë në asfalt ai e ka hapë derën dhe ka ra në tokë”, theksoi Osmani.

Emisionin e plotë të ‘Drejtësia në Kosovë’ mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm.