Historia e konfliktit që nisi nga ngucja e fëmijëve dhe përfundoi me të plagosur

Një ngucje mes fëmijëve në shkollën e një fshati të Gjilanit ka përfunduar me përdorim të armës e plagosje të dy personave, e po ashtu me sulme e kacafytje të tjera edhe pasi kishte ndodhur plagosja.

Hulumtimi i emisionit “Kallxo Përnime” nxjerr në pah gjithë historinë e kësaj ngjarjeje.

 

Institucionet e shtetit nuk ishin informuar as rreth pretendimeve për rrahje e po ashtu edhe për ngacmimin e një vajze.

Për ta “mbyllur” këtë ngatërresë ishin angazhuar pleqnarë dhe përdorur metoda sipas Kanunit.

I tërë konflikti pretendohet të ketë nisur në vitin 2021.

Ngjarja merr përmasa në marsin e vitit 2023, me pretendimet se babai i vajzës ka shkuar në shkollë për të kërkuar llogari se pse po i ngucej e bija.

I ati i vajzës e pranon se ka shkuar në shkollë por nuk e pranon se e ka rrahur djalin, i cili pretendohet se ia ka ngacmuar vajzën.

“Ai djali ka dashtë me ma dhunu çikën te shkolla. Kam shku te shkolla, unë jam anku te mësuesit. Mësuesi ka shku te ai nalt atje, po s’e kanë marrë në dorë hiç”- thotë babai i çikës.

Të kundërtën e babait të vajzës e thotë babai i djalit.

Ai pretendon se djali i tij u rrah në afërsi të shkollës nga prindi i vajzës.

“Më datën 13.03.2023, ka hy në shkollë, e ka nxjerrë prej shkollës dhe e ka qitë në rrugë, e ka rrehë, për shkak se gjoja ia paska folë një fjalë të ndytë diçka se shoqe të klasës e ka pasë një vajzë të tij por dëshmi nuk ka as prej kujdestarit e as prej arsimtarëve, po as nuk ka prej nxënësve”- thotë babai i djalit, i cili ka treguar se ka shkuar në shkollë por askush nuk i ka thënë se e ka dëgjuar se djali i tij i ka thënë diçka asaj vajzës.

Pretendimet se një vajzë u ngacmua e pretendimet për dhunë fizike ndaj një nxënësi kishin arritur në veshin e autoriteteve të shkollës por ata nuk e kishin raportuar rastin në Polici e Prokurori me arsyetimin se nuk kanë pasur fakte se këto ngjarje kanë ndodhur.

“Po ai kujdestari i ka krejt në dorë. Unë nuk e di çka ka ndodhë. Nuk u kanë ashtu. Bash mos u mundo për këtë punë, ajo krejt në rregull është tash. Po na nuk e kemi ditë rastin. Nuk e kemi ditë rastin se nuk ka ndodhur në shkollë, s’ka ndodhur në shkollë, jashtë shkollës. Kush e ka ditë e ka ditë veç ai prindi i vet” – thotë drejtori i shkollës.

Edhe kujdestari i klasës kishte dëgjuar për ngjarjen por ai vendosi që të mos e raportojë atë në Polici me arsyetimin se rrahja nuk ka ndodhur në shkollë.

“Në shkollë nuk e ka rrehë por jashtë objektit shkollor. Ne nuk e kemi pa por pasi jemi dalë jemi përshëndet, ne nuk e kemi dëgjuar as për rastin e vajzës por kanë thanë që për një të sharë”- thotë kujdestari i klasës.

Një ngjarje ku një fëmijë pretendohet se u sulmua fizikisht nga një prind mbeti e palajmëruar në Polici.

Ngjarja ishte dëgjuar nga të gjithë akterët e përfshirë por llogaria para ligjit nuk u kërkua. Situata u tentua të zgjidhet me metodat tradicionale të Kanunit.

Fadil Abazi kishte tentuar t’i pajtojë të dy familjet por nuk kishte pasur sukses. Ai ishte angazhuar me vullnetin e tij të mirë që ngjarja të mos eskalojë tutje.

“Rasti kur ka ndodhë, qeky rasti i fundit kur ka ndodhë, kjo p.sh. ky djali i NN që paska shku edhe paska me pretendimin e tyre se e paska rreh qat fëmijën e vogël, unë kam shku para se me ndodhë plagosja. Pas ngatërresës se unë kam shku faktikisht kam shku vet për me pajtu, për me shukatë atë, me lanë me atë rastin e atij djalit të vogël që e paska rreh ky djali, edhe mos me shku ma gjatë edhe NN s’ka pranu kurrqysh”- theksoi Abazi.

Një muaj pasi që nuk ishte arritur pajtimi me Kanun dhe në kohën kur Policia nuk dinte asgjë, anëtarët e dy familjeve po udhëtonin me makinat e tyre në rrugën e fshatit.

Në momentin kur ata takohen mes vete fillimisht aksidentohen me makina e me pas dalin nga veturat dhe pas një fjalosjeje babai i vajzës nxjerr revolen dhe plagos dy vëllezërit e djalit.

Babai i djemve të plagosur tregon versionin e tij rreth plagosjes së dy djemve.

“3 djemtë e mi janë nisë me shku me bisedu me një mjeshtër të veturës dhe pas 10 minutave më kanë thirrë, më kanë thanë hajde se na plagoi… Qysh e di unë kur kanë hy këta në tejkalim janë aksidentu mes vete dhe pasi kanë dalë nga veturat ai e ka nxjerrë revolen dhe m’i ka plagu dy djemtë”- thotë babai i tyre.

Për ta sqaruar situatën, hulumtuesit e emisionit kishin kontaktuar edhe  babanë e vajzës.

Ai nuk kishte pranuar të flasë para kamerës por pretendimet e tij i ka dhënë përmes telefonit.

Versioni i tij se si ndodhi aksidenti është i kundërt me atë të babait të djalit.

“6 herë më kanë ra me kerr atë ditë rrugës, më kanë ra nga mbrapa 3 herë, më kanë dalë në tejkalim, ma kanë zënë rrugën, më kanë mëshu, kam ra përmbi rrugë, d.m.th. në stom, jam kanë duke u praptu, ma kanë zënë rrugën përpara, kanë dalë në mënyrë arrogante. Unë s’po mundem me besu që jam kanë qaty edhe kam shpëtu.  Gruaja e ka pasë qafën në atë farë “shtipalken” një muaj ditë gruaja, djali ka qenë i tmerruar” – theksoi babai i vajzës duke treguar edhe momentin se pse e ka shkrepur armën.

“Jo, pse e kam përdor armën nuk e kam përdorë armën direkt. Me armë kam gjujtë në tokë unë. Plumbi rikoshe e ka kapë atë djalin. Unë po të kisha dashtë 1 sekondë m’u kish dashtë aty po qëllimi im ka qenë pa pasoja me dalë prej aty, por ka qenë e pamundur”- shton ai.

Se ngjarjet e ndodhura në shkollë nuk janë raportuar në Polici e thotë edhe zëdhënësi i Policisë të Rajonit të Gjilanit.

Sipas Ismet Hashanit, në Polici janë të hapura 3 raste rreth problemeve në mes të këtyre familjeve por asnjë nga to nuk është për problemet në shkollë.

Policia rastin e parë në mes të këtyre dy familjeve e kishte hapur kur ka ndodhur plagosja.

“Realisht në rastin e parë e kemi të raportuar më datë 04.04.2023, kur Policia e Kosovës është njoftuar se ka ndodhur një rast – gjuajtje me armë zjarri, dhe Policia me të dalë në vendin e ngjarjes ka kuptuar se aty janë plagosur dy persona, më pas është arrestuar i dyshuari dhe është sekuestruar edhe arma” – theksoi Hashani.

Arrestimet dhe ngritja e dy aktakuzave nga Prokuroria nuk i ndalën konfliktet.

Policia e Gjilanit më 01.10.2023 e ka te regjistruar një rast të rrahjes.

Prokuroria në këtë rast ka propozuar shqiptimin e masës edukative – mbikëqyrja e shtuar nga ana e prindit, për shkak të veprës penale – sulmi.

“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për të Mitur, më 01.11.2023, ndaj një të mituri, në Gjykatën Themelore në Gjilan, ka propozuar shqiptimin e masës edukative – mbikëqyrja e shtuar nga ana e prindit, për shkak të veprës penale ‘’Sulmi’’, nga neni 184 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Gjilanit.

Ky hulumtim ka gjetur se ngjarjet e ndodhura në shkollë nuk janë të vetmet që nuk u raportuan në Polici e Prokurori.

Njëri nga nxënësit ka ndërprerë shkollimin gjatë kohës kur po ndodhnin këto konflikte.

Babai i djalit pretendon se nga frika e hakmarrjes djalin e tij e ka ndalur nga shkolla.

“Nuk kam siguri me lanë djalin me shku në shkollë pasi ka ndodhur plagosja ka shku por e kanë ngucë edhe e kam ndalë”- thotë babi i djalit.

Në shkollë e pranojnë se fëmija nuk është duke e vijuar mësimin.

Ata përmendin mundin që kanë bërë që atë fëmijë ta kthejnë në shkollë.

Ekipi i emisionit “Kallxo Përnime” e kishte pyetur Policinë se a ka informacione se fëmija nuk po shkon në shkollë, e  ata kishin premtuar se do marrin veprime dhe disa ditë pas intervistës në redaksinë tonë ka ardhur një e-mail ku ka treguar se kanë marrë veprime dhe fëmija i është kthyer bankave shkollore.

“Njësitin e Policisë në Komunitet të Stacionin Policor në Gjilan nga DKA Gjilan dhe drejtoria e shkollës është konfirmuar se nxënësi në fjalë aktualisht është duke vazhduar me procesin e rregullt mësimor”- thuhet ne përgjigjen e Policisë.

Se nxënësi ka filluar mësimin pas interesimit të emisionit tonë e ka konfirmuar edhe drejtori i shkollës ku ka qenë me herët nxënësi, pasi i njëjti shkollimin e ka filluar në një shkollë tjetër.

“Në rregull, u kry ajo punë krejt, u kry. Po, po ka fillu, në rregull është krejt”- thotë drejtori i shkollës.

Edhe pasi kishte ndodhur kacafytja, plagosja dhe gjuajtja me armë, përsëri miqtë e dy familjeve kishin tentuar që të dy familjet t’i pajtonin por pa sukses.

Personat që kishin hyrë si ndërmjetësues pretendojnë se u thirrën në Prokurori pasi që tentuan të sigurojnë “Besën” për njërën nga familjet.

Familjet nuk arritën ta shtrijnë dorën e pajtimit, procesi i plagosjes po vazhdon në Gjykatë ndërsa sipas Kanunit, besa që ishte dhanë për disa muaj tash është ndërprerë.