Mentor Ramadani

VIDEO - I lënduari në vend të punës tregon betejën me drejtësinë

Emisioni i fundit ‘Drejtësia në Kosovë’ transmetoi neglizhencën e shtetit për ta trajtuar si duhet lëndimin ne punë të  të riut Mentor Ramadanit nga Komogllava e Ferizajt.

Në emision u transmetuan filmimet ekskluzive që kapen prokurorin e Prokurorisë së Gjakovës, Ramiz Buzhala, duke i kërkuar të vëllait të viktimës të tërhiqen nga ndjekja penale për pronarin e një kompanie me të cilin ata janë në proces gjyqësor.

Mirëpo pavarësisht kësaj kërkese, Mentor Ramadani tha se nuk e kanë ndërmend të tërhiqen nga ndjekja penale për pronarin e kompanisë “Euro Abi”.

Ramadani ka rrëfyer para kamerave të emisionit Drejtësia në Kosovë momentin e lëndimit.

“Kemi qenë duke e mbuluar një kulm në Gjakovë me panel, kemi qenë duke i bartur panelet diku mbi 20 metra larg, larg në kulm e duke e tërhequr një panel njërin nga ta, se ata kanë qenë të rëndë mbi 300 kilogramë një panel dhe duke e tërhequr kam rrëshqitur dhe kam rënë ne tokë”, tha Ramadani.

“Në tokë kam ra dikund mbi 8 metra largësi, sot e kam këmbën të lënduar këmbën tjetër e kam pasë të lënduar brinjët, kokën, krahun”, theksoi Ramadani.

Ramadani pretendon se rasti i tij nuk është trajtuar nga shteti ashtu si do të duhej të trajtohej.

“Ka shumë probleme, s’po mundemi t’i dalim ne krye këtij problemi”, tha ai.

Pasi që lënda e Ramadanit ka kaluar ne Gjykatën e shkallës se dytë ai ende nuk është kompensuar nga shteti.

“Kam kërkuar të drejtën time qysh është e drejta e punëtorit nëse i ndodh një aksident po me këto sende nuk është marr askush deri me sot, nuk e di pse s’janë marrë dhe nuk tërhiqemi deri në pikën e fundit, kemi me kërku të drejtën tonë”, shtoi Ramadani.

Drejtësia në Kosovë kishte provuar të marr përgjigje edhe nga Kadrush Rexhepi, pronar i kompanisë “Euro Abi”, por ai nuk kishte pranuar të flasë.

Mentori kishte punuar si saldues ne kompaninë “Euro Abi” deri ne momentin e lëndimit.

Deklaratën e të lënduarit ne punë Mentor Ramadani dhe emisionin e plotë Drejtësia ne Kosovë mund ta ndiqni ne linkun e mëposhtëm.