Hulumtimi dhe prapaskenat deri në dënimin me burgim të Haki Rugovës

Transmetimi i hulumtimit të emisionit “Drejtësia në Kosovë”, që shfaqte dëshmitë dhe përgjigjet e palëve të përfshira në dyshimet për korrupsion të kryetarit të Istogut Haki Rugova shërbyen për vendimin e Gjykatës së Pejës që Rugovën e dënoi  me burgim efektiv.

Në “Kallxo Përnime” po transmetohet emisioni që tregon prapaskenat e hulumtimit të emisionit “Drejtësia në Kosovë” deri tek vendimi për dënimin e Haki Rugovës.

Gazetari dhe autori i hulumtimit që zbuloi skandalin në Komunën e Istogut, Naim Krasniqi, ka treguar hapat që kanë ndërmarrë për këtë hulumtim.

“Pas verifikimeve që ua patëm bërë dosjeve para së të vendosnim dhe të vinim t’i kërkonim intervistë kryetarit Haki Rugova dhe vëllait të tij, Ganiut, paraprakisht i verifikuam nëpër dokumente, hulumtuam nëpër ato dosje, të cilat kishin vite disa prej tyre që kishin kaluar dhe pamë që kompania ‘Macon’ është pronë e familjes Rugova dhe e njëjta kishte marr tender, kishte ndërtuar në një pronë publike një objekt banesor”, tha ai.

Krasniqi ka treguar gjithashtu për mënyrën se si ka arritur të verifikojë që Haki Rugova në Agjencinë Kundër Korrupsionit kishte deklaruar aksione në kompaninë e vëllait të tij, e cila u përfshi në projekte komunale.

“Kryetari Rugova na pati deklaruar se ai ka hequr dorë prej aksioneve në këtë kompani, mirëpo ne gjatë verifikimit në deklarimet e tij që i ka bërë në Agjencinë Kundër Korrupsion, e pamë që ende figuronte emri i tij si aksionar. Rugova kishte thënë se ka ndodhur një gabim teknik”, shtoi Krasniqi.

Kurse, monitoruesja e gjykatave nga KALLXO.com, Vyrtyte Gërvalla tregon se si pas dorëzimit të dosjes penale ndaj Rugovës nuk pati reagim të Prokurorisë së Shtetit, përveç Agjencisë Kundër Korrupsionit.

“KALLXO.com e ka dorëzuar dosjen ndaj Haki Rugovës tek institucionet kompetente, fillinisht tek Prokuroria e Shtetit dhe te Agjencia Kundër Korrupsionit. Në këtë aspekt, Prokuroria e Shtetit nuk ka reaguar që të fillojë me hetimin e kësaj dosje penale, mirëpo ka qenë AKK-ja që pasi që e ka pranuar raportimin nga KALLXO.com, të njëjtën dosje, ka parashtruar kallëzim penal dhe ia ka dorëzuar prokurorisë kompetente që në këtë rast ka qenë Prokuroria Themelore e Pejës”, tha ajo.

Sipas Gërvallës, mos reagimi i Prokurorisë së Shtetit më urgjencë ka qenë shqetësues, pasi në këtë rast ka qenë i akuzuar një zyrtar i profilit të lartë, pra kryetarit të Istogut Haki Rugova.

Në emisionin “Kallxo Përnime” u tregua se përballja e njeriut të fuqishëm të Istogut Haki Rugovës me ligjin, nisi vetëm në momentin kur Prokuroria e Gjakovës, jo e Pejës, ngriti aktakuzë ndaj tij dhe aktakuza u dorëzua në Gjykatën e Pejës. Aty filloi një proces maratonik i cili do t ë zgjaste më shumë se 3 vite dhe i cili për shumë herë do të shtyhej me arsyetime të cilat ende janë të pasqaruara.

Haki Rugova akuzohej se në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut ka nënshkruar kontratë me kompaninë e vëllait të tij, “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë, në vlerë rreth 289 mijë euro.

Aktakuza ndaj Rugovës, ishte ngritur me mars të vitit 2018, e që procesi gjyqësor zgjati më shumë se 3 vite.

Kryetar i trupit gjykues, në rastin e Rugovës, ishte gjykatësi Sami Sharraxhiu, ndërsa aktakuzën e ka përfaqësuar prokurori Ali Uka.

Sipas prokurorit Uka, nënshkrimi i kontratës nga ana e kryetarit Rugova i kishte sjellë interes financiar kompanisë së vëllait të tij, Gani Rugovës.

Ndërsa në anën tjetër sipas mbrojtjes së të akuzuarit Rugova, nënshkrimi i këtij të fundit ishte pa efekt juridik, pasi nuk ka mundësuar hyrjen në fuqi të kontratës.

Avokati i Rugovës, Besnik Berisha kishte deklaruar se bazuar në Ligjin për Prokurimin Publik, për kontratat e mesme nuk ishte e nevojshme nënshkrimi i kryetarit, e që sipas tij kjo kontratë ka qenë e tillë.

Aktakuza për konflikt interesi, ndaj të parit të Istogut Haki Rugova erdhi pasi Agjencia Kundër Korrupsionit kishte paraqitur kallëzim penal ndaj tij pas raportimit të marrë nga BIRN dhe Internews Kosova.

“Agjencia Kundër Korrupsionit më 11 gusht 2017, ka pranuar informacionin nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese ‘BIRN’ dhe ‘Internews Kosova’ ndaj Haki Rugovës për shkak të mundësisë së veprës penale konflikt i interesit”, thuhej në arsyetimin e kallëzimit penal të Agjencisë.

Ai dyshohej se më 1 gusht 2014 në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut me dashje ka marrë pjesë personalisht në nënshkrimin e kontratës ‘Ndërtimi i kanalizimit fekal në fshatin Cerrcë – Lubozhdë – faza e parë”.

Tenderin për ndërtimin e këtij kanalizimi e fitoi “’MA-CON’ sh.p.k, në pronësi të Gani Rugovës (vëllai i Haki Rugovës), në vlerë prej 289,119.85 euro, duke mundësuar kështu interes financiar për të (Haki Rugovën) dhe personin juridik që ka të bëjë me të.

Rugova është duke u hetuar edhe për një rast tjetër penal pranë prokurorisë së Pejës.