Haki Rugova - FOTO KALLXO

Dënimi i Haki Rugovës - LIVE

Sonte në “Kallxo Përnime”, po transmetohet emisioni në lidhje me dënimin me burgim për korrupsion të kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova.

Në këtë emision po transmetohen interevistimet e disa personave që para katër viteve pretendonin se kishin prova që në Komunën e Istogut ishte shkelur ligji.

Këto intervista janë transmetuar në vitin 2017 në hulumtimin e emisionit “Drejtësia në Kosovë” për Haki Rugovën.

Dëshmitë e personave u bënë prova gjatë gjykimit të Haki Rugovës dhe vendimit final i cili u shpall të hënën nga Gjykata e Pejës, ku Haki Rugova u dënua me një vit burgim evektiv.

Para katër vitesh emisioni “Drejtësia në Kosovë” kishte transmetuar hulumtimin që tregoi se si kryetari i Istogut, Haki Rugova, bashkë me vëllezërit e tij me kompaninë e tyre “Macon” kanë ndërtuar një objekt shtatëkatësh në tokën komunale.

Aktakuza ndaj Rugovës ishte ngritur me mars të vitit 2018, e procesi gjyqësor zgjati më shumë se 3 vite.

Kryetar i trupit gjykues në rastin e Rugovës ishte gjykatësi Sami Sharraxhiu, ndërsa aktakuzën e ka përfaqësuar prokurori Ali Uka.

Sipas prokurorit Uka, nënshkrimi i kontratës nga ana e kryetarit Rugova i kishte sjellë interes financiar kompanisë së vëllait të tij, Gani Rugovës.

Ndërsa në anën tjetër sipas mbrojtjes së të akuzuarit Rugova, nënshkrimi i këtij të fundit ishte pa efekt juridik, pasi nuk ka mundësuar hyrjen në fuqi të kontratës.

Aktakuza për konflikt interesi ndaj të parit të Istogut Haki Rugova erdhi pasi Agjencia Kundër Korrupsionit kishte paraqitur kallëzim penal ndaj tij pas raportimit të marrë nga BIRN dhe Internews Kosova.

“Agjencia Kundër Korrupsionit më 11 gusht 2017, ka pranuar informacionin nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese ‘BIRN’ dhe ‘Interneës Kosova’ ndaj Haki Rugovës për shkak të mundësisë së veprës penale konflikt i interesit”, thuhej në arsyetimin e kallëzimit penal të Agjencisë.

Ai dyshohej se më 1 gusht 2014 në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut me dashje ka marrë pjesë personalisht në nënshkrimin e kontratës ‘Ndërtimi i kanalizimit fekal në fshatin Cerrcë – Lubozhdë – faza e parë”.

Tenderin për ndërtimin e këtij kanalizimi e fitoi “’MA-CON’ sh.p.k, në pronësi të Gani Rugovës (vëllai i Haki Rugovës), në vlerë prej 289,119.85 euro, duke mundësuar kështu interes financiar për të (Haki Rugovën) dhe personin juridik që ka të bëjë me të.