Mentor dhe Ruzhdi Ramadani, Foto: KALLXO.com

Që nga 2017 kërkon kompensim për lëndimin në punë, Gjykata e Apelit e kthen në rigjykim

Mentor Ramadanit nga Ferizaj i është kthyer lënda nga Gjykata e Apelit në rigjykim. Ramadani përmes padisë kishte kërkuar kompensim lidhur me dëmet që ai kishte pësuar në një aksident në vendin e tij të punës në vitin 2016.

Ai kishte rënë nga një lartësi prej 8 metrash duke lënduar këmbën e majtë.

Për këtë lëndim në punë, ai i ishte drejtuar gjykatës për kompensim dëmi nga kompania “Euro Abi “ me pronar Kadrush Rexhepi.

Gjykata Themelore kishte vendosur që kjo kompani t’ia paguajë Mentor Ramadanit kompensimin e dëmit material dhe jo material në shumë prej 55 mijë e 828 euro e 58 cent.

Sipas dosjes së Gjykatës së Apelit me të cilën është kthyer rasti në pikën 0, ky aktgjykimi i Themelores me të cilën ishte aprovuar pjesërisht kërkesëpadia e Mentor Ramadanit, ishte me shkelje thelbësore të rregullave kontestimore.

Tutje, Apeli ka vlerësuar se shkalla e parë nuk kishte bërë sqarimin e duhur të bazës juridike të kërkesë padisë.

Trupi gjykues që gjykoi këtë çështje përbëhet nga Nehat Idrizi – kryetar i kolegjit, Burim Shala dhe Hunaida Pasuli – anëtarë të kolegjit.

Kadrush Rexhepi ishte gjetur fajtor dhe dënuar me gjobë me 3 mijë euro nga gjykata e Ferizajt në janar të këtij viti për falsifikim të kontratës së punës së këtij punëtori.

Mirëpo kjo nuk është çështja e vetme penale që pronari i “Euro Abit” është përballur me drejtësinë për këtë punëtor.

Ndaj Kadrush Rexhepi kanë rënduar edhe akuzat për veprën penale të asgjësimit, dëmtimi ose heqjes së pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimit të sigurisë në vendin e punës.

Sipas dosjes së prokurorisë në muajin nëntor të vitit 2016, në kompaninë “Jatex” në Gjakovë, Kadrush Rexhepi si përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në punë, nuk i kishte siguruar pajisjet mbrojtëse në vendin e punës, duke rrezikuar jetën e njerëzve, përkatësisht punëtorëve.

Në këtë rast derisa i dëmtuari Mentor Ramadani, si llamarinë punues në firmën “Euro-Abi”, kishte qenë duke bartur një panel-llamarine të izoluar për mbulimin e kulmit, i njëjti kishte humbur drejtpeshimin, kishte rrëshqitur dhe kishte pësuar lëndime të rënda trupore, thuhet në aktakuzë.

Edhe në këtë gjykim, i dëmtuari Ramadani kishte shprehur se i është falsifikuar nënshkrimi dhe nuk ka kontratë pune.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Në lidhje me këtë rast, prokurori Ramiz Buzhala ishte ndëshkuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, të cilit i është shqiptuar një masë disiplinore.

Rezultati këtij ndëshkimi kishte ardhur si pasojë se prokurori Buzhala gjatë trajtimit të një rasti e kishte udhëzuar familjarin e një viktime të lënduar në vendin e punës, në mënyrë që viktima të tërhiqet nga ndjekja penale ndërsa pronari i një biznesi të dënohet më pak.

Emisionin e plotë të Drejtësia në Kosovë mund ta ndiqni më poshtë.

KALLXO.com pas hulumtimit, me shkresë të veçantë kishte informuar edhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, për sjelljen e prokurorit Buzhala.