Pronari i ‘Euro Abi’ shpallet fajtor nga Gjykata e shkallë së parë për falsifikim të kontratës së punëtorit
Shtatë vite më parë, Mentor Ramadani kishte pësuar një aksident në vendin e tij të punës në Gjakovë.
Nga ajo kohë, Mentor Ramadani, edhe sot nuk mund të ecë lirshëm si shkas i lëndimit në këmbën e tij të majtë për shkak të ndërhyrjeve të shumta kirurgjike që ka pasur.
Ai për KALLXO.com ka rrëfyer mbi rastin që i kishte ndodhur, rast të cilin e kishte paraqitur tek autoritetet kompetente.
Mentor Ramadani paraqiti dyshimet e tij se ish- shefi Kadrush Rexhepi, pronari i “Euro Abi” i kishte falsifikuar kontratën e punës.
Kështu sipas gjetjeve të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, është ngritur aktakuzë kundër Kadrush Rexhepit, për veprën “falsifikim i dokumenteve”, vepër kjo që në kohën e kryerjes është dënuar me gjobë ose me dënim me burg deri në 3 vjet.
Për këtë vepër që rëndon ndaj tij, Kadrush Rexhepi, sot u shpall fajtorë nga Gjykata e Ferizajt dhe për këtë u dënua me gjobë në vlerë 3000 euro.
Mirëpo kjo nuk është çështja e vetme penale që pronari i “Euro Abit” është përballur me drejtësinë për të njëjtin punëtor.
Ndaj Kadrush Rexhepi kanë rënduar edhe akuzat për veprën penale të asgjësimit, dëmtimi ose heqjes së pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimit të sigurisë në vendin e punës.
Në këtë rast të lëndimit në punë, kishte pësuar i dëmtuari Mentor Ramadani, duke rënë nga një lartësi prej 8 metrash.
Sipas aktakuzës, në muajin nëntor të vitit 2016, në kompaninë “Jatex” në Gjakovë, Kadrush Rexhepi si përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në punë, nuk i ka siguruar pajisjet mbrojtëse në vendin e punës, duke rrezikuar jetën e njerëzve, përkatësisht punëtorëve.
Në këtë rast derisa i dëmtuari Mentor Ramadani, si llamarinë punues në firmën “Euro-Abi”, kishte qenë duke bartur një panel-llamarine të izoluar për mbulimin e kulmit, i njëjti kishte humbur drejtpeshimin, kishte rrëshqitur dhe kishte pësuar lëndime të rënda trupore, thuhet në aktakuzë.
Edhe në këtë gjykim, i dëmtuari Ramadani kishte shprehur se i është falsifikuar nënshkrimi dhe nuk ka kontratë pune. Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.
Skandal: Prokurori filmohet duke negociuar dënim më të ulët për biznesmenin
Në lidhje me këtë rast, ishte ndëshkuar prokurori Ramiz Buzhala, të cilit i është shqiptuar një masë disiplinore nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Rezultati këtij ndëshkimi kishte ardhur si pasojë se prokurori Buzhala gjatë trajtimit të një rasti e kishte udhëzuar familjarin e një viktime të lënduar në vendin e punës, në mënyrë që viktima të tërhiqet nga ndjekja penale ndërsa pronari i një biznesi të dënohet më pak.
Kallxo.com pas një hulumtimi me shkresë të veçantë kishte informuar edhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, për sjelljen e prokurorit Buzhala.
Ky hulumtim është transmetuar edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.
Pas raportimeve të KALLXO.com, ky është prokurori i dytë që po ndëshkohet për shkelje të Kodit të Etikës dhe Sjelljes Profesionale.
Edhe ndaj prokurorit Rexhep Maqedonci ishte shqiptuar masë disiplinore pas raportimeve të KALLXO.com
Pas raportimit të KALLXO.com, prokurorit Rexhep Maqedonci i shqiptohet masë disiplinore