Raporti i EULEX-it: Nga 228 raste të dhunimit në tri vitet e fundit, shumica e viktimave janë të mitura

Në tri vitet e fundit në Kosovë, janë denoncuar 228 raste të dhunimit tek organet e rendit dhe prej tyre 85 për qind e viktimave janë vajza të mitura.

Kjo gjetje është evidentuar në raportin “Vlerësimi i trajtimit të rasteve të dhunimit nga sistemi i drejtësisë në Kosovë”, i cili është publikuar nga EULEX-i.

Sipas këtij raporti, nga viti 2019 deri në vitin 2021 në Policinë e Kosovës janë denoncuar 228 raste të cilësuara si dhunim, konkretisht 57 në vitin 2019, 64 në vitin 2020 dhe 107 në vitin 2021.

Të dhënat tregojnë se në periudhën 2019-2021 janë kryer gjithsej 245 ekzaminime klinike të viktimave të mundshme (217 gra/vajza dhe 28 burra/djem); 47 në 2019, respektivisht 92 në 2020 dhe 106 në 2021.

Raporti thekson se sa i përket shpërndarjes rajonale të rasteve, të dhënat tregojnë se nga viti 2019 deri në vitin 2021, mesatarisht 35 për qind e të gjitha rasteve janë denoncuar në Prishtinë.

Sipas raportit, KGJK-ja raportoi se 173 raste ishin regjistruar si raste të dhunimit përmes ngritjes së aktakuzave ndërmjet viteve 2019 dhe 2021.

Sipas tyre, 96 prej këtyre rasteve tashmë ishin në pritje në fillim të vitit 2019, që nënkupton se ndërmjet viteve 2019 dhe 2021 janë ngritur 77 aktakuza të reja (përkatësisht 23 në 2019, 36 në 2020 dhe 18 në 2021).

“Nga të gjitha këto raste, 76 janë përfunduar në shkallë të parë me aktgjykim ndërmjet viteve 2019 dhe 2021 (konkretisht 48 në 2019, 26 në 2020 dhe 2 në 2021), duke i lënë 97 raste ende në pritje në fund të vitit 2021. Megjithatë, vetëm nga të dhënat statistikore dhe pa qasje në dosjet e rasteve aktuale, nuk ishte e mundur që të vërtetohet nëse aktakuzat e ngritura ndërmjet viteve 2019 dhe 2021 kishin të bënin me krimet të cilat pretendohet se kishin ndodhur në të njëjtën periudhë kohore ose më herët”, thuhet në raport.

Gjatë prezantimit të raportit, Chiara Tagiliani, Këshilltare për çështje gjinore në EULEX tha se gjatë monitorimit janë vërejtur zvarritje të procedurave dhe seancave gjyqësore.

“Sa i përket kohëzgjatjes së procedurave, ne kemi hasur në dallime të ndryshme varësisht prej rasteve dhe zvarritje të procedurave dhe seancave gjyqësore, e aktgjykimet jepen pas një periudhe jashtëzakonisht të gjatë kohore”, tha Tagiliani duke shtuar se 79% e këtyre rasteve janë shënuar në Prizren, ndërsa në 24% në Prishtinë.

“Këto vonesa janë vërejtur në bazë të pamjaftueshmërisë së prokurorëve, mungesës së psikologëve të specializuar që duhet të intervistojnë viktimat minorene si dhe zvarritja në shqyrtimin e provave dhe mungesa e protokolleve unike që përcaktojnë përgjegjësitë e veçanta të institucioneve”, shtoi ajo.

Në prezantimin e këtij raporti mori pjesë edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se ky raport ka vënë theksin dhe vëmendjen e merituar në aspekte të patrajtuara apo të trajtuara në mënyrë jo adekuate të dukurisë së dhunimeve seksuale Kosovë.

Osmani po ashtu, kërkoi nga institucionet e drejtësisë që rastet e dhunës seksuale të trajtohen me prioritet.

“Sot jam këtu për të bërë thirrje pikërisht për një rol më proaktiv të institucioneve tona në parandalim e veçanërisht në hetim, në ndjekje penale, në gjykim më të mirë të veprave penale të dhunës ndaj grave e sidomos të dhunimeve të cilat mund t’i prekin në fakt jo vetëm gratë por edhe viktimat meshkuj e fatkeqësisht edhe fëmijët e të të dyja gjinive”.

Sipas Osmanit, njëra nga aspektet më alarmante që është mësuar mësuar nga ky raport është fakti se që institucionet në Kosovë shpesh përdorin nevojën për dëshmi apo gjurmë fizike për të dëshmuar dhe hetuar dhunën seksuale.

“Një standard i tillë siç po aplikohet është i pasaktë dhe mohon përvojën e viktimës në rast të dhunës seksuale, duhet qartësuar se standardi ndërkombëtare që duhet aplikuar është ai i dhënies së pëlqimit e jo gjurmët fizike të dhunës” tha Osmani duke shtuar se institucionet duhet ta konsiderojnë se dikush mund të jetë viktimë e dhunës seksuale edhe kur nuk janë të dukshme shenjat fizike në trup.

Ndërsa, nga ana e krerëve të drejtësisë pati zotime për angazhim më të madh dhe bashkëpunime me institucionet dhe organizatat vendore dhe të huaja në mënyrë që të krijohet një ambient sa më i sigurtë për qytetarët e Kosovës dhe që kryesit e veprave penale të marrin dënime meritore.

Lidhur me këtë, ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu tha se kjo ministri i ka dhënë prioritete kësaj teme. Madje e quajti shqetësuese të dhënat e tri viteve të fundit ku 85 për qind e rasteve të dhunimeve, viktima janë vajza të mitura.

“Siç jeni në dijeni, Ministria e Drejtësisë konsiderojë si asnjëherë më parë, e ka priroritizuar çështjen e adresimit të dhunës në familje, dhunës seksuale, dhunës psiqike, materiale dhe në këtë drejtim jemi duke punuar shumë që  secilën prej përgjegjësive që kanë institucionet ta adresojnë siç duhet” u shpreh Haxhiu e cila tutje i citoi edhe disa gjetje nga raporti.

Raportin e plotë mund ta lexoni në këtë LINK