Foto: Kallxo.com

Vetëvendosje: Aksioni në veri dëshmon kapacitetet e policisë për të luftuar krimin

Lëvizja Vetëvendosje ka përshëndetur aksionin e Policisë së Kosovës në veri, sipas tyre ky aksion dëshmon se Kosova ka mundësi dhe aftësi për ta luftuar krimin.

“Kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, Policia e Kosovës sot ka ndërmarrë një aksion të gjerë, përfshirë këtu pjesën veriore të vendit tonë. Kjo dëshmon se policia jonë ka mundësi, aftësi dhe kapacitete për të luftuar krimin, por përgjithësisht mungojnë urdhrat zyrtarë nga prokuroria dhe vullneti politik nga krerët institucionalë”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, katër komunat veriore janë të njëjta si komunat e tjera të Kosovës andaj edhe duhet të trajtohen si të tilla.

“Komunat në veri të Ibrit janë në Republikën e Kosovës sikurse të gjitha komunat e tjera. Sa më pak që zyrtarët e Serbisë flasin për çështjet e Kosovës aq më shumë paqe dhe siguri për të gjithë do të kemi”, thuhet tutje aty.

Lëvizja Vetëvendosje në njoftimin e saj ka thënë që edhe në pjesën jugore të Kosovës ka krim të organizuar.

“Në anën tjetër, nuk duhet harruar se krim të organizuar e korrupsion të lartë nuk ka vetëm në veri por gjithandej vendit tonë. Edhe komunat në jug të Ibrit janë në shtetin tonë dhe askush nuk bën të jetë mbi ligjin apo jashtë tij”, thuhet në njoftim.

Tutje LVV, kërkon që  të gjithë të arrestuarve duhet t’iu garantohet trajtim ligjor, në ruajtje të dinjitetit njerëzor, dhe, gjyqësi e drejtë, e paanshme dhe profesionale. Ndërsa pjesëtarëve të plagosur të policisë sot, u dëshirojmë shërim të shpejtë dhe të plotë.

Një aksion i gjerë i Policisë së Kosovës kundër kontrabandës ka nisur mëngjesin e sotëm në veri të Mitrovicës. Deri më tani numri i të arrestuarve ka arritur në 10.

KALLXO.com nga vendi i ngjarjes ka siguruar pamje ku shihen njësi të shumta të Policisë së Kosovës. KALLXO.com mëson se cak i këtij aksioni janë rrjetet e kontrabandës së mallrave nga Serbia për në Kosovë. Janë realizuar disa bastisje në disa lokacione ndërsa aksioni është duke vazhduar.

Katër zyrtar policor kanë pranuar sot tretman mjekësor në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, pas operacionit policor i cili po vazhdon të zhvillohet në disa pjesë të vendit.