Gjykimi i Limajt dhe të tjerëve | Foto: KALLXO.com
Tone të Ngritura në Gjykimin e Limajt
Në gjykimin e Fatmir Limajt dhe zyrtarëve tjerë të ish-Ministrisë së Transportit prokurori Charles Hardaway dhe i akuzuari Endrit Shala në një moment ngritën zërin derisa debatuan mes vete.
Ngritja e zërit ndodhi kur prokurori po i shtronte një pyetje dëshmitarit të sotëm Mevludin Krasniqi, ish-këshilltarit politik të Limajt në Ministrinë e Transportit, ndërsa i akuzuari Endrit Shala e kundërshtoi këtë pyetje.
“Nuk e kam përfunduar pyetjen ende,” bërtiti prokurori, pasi Shala ndërhyri derisa ai po fliste.
Me ton të njëjtë prokurorit iu përgjigj i akuzuari Shala.
“Mos bërtisni se s’keni të drejtë,” bërtiti gjithashtu Shala.
Pas këtyre fjalëve seanca u ndërpre për disa minuta, ndërsa pas rinisjes së seancës të përfshirët në debatin me zë të ngritur kërkuan falje.
“Kërkoj falje për shpërthimin tim që ishte një shpërthim joprofesional dhe i nxituar. Megjithatë, kjo nuk ishte hera e pare e Shalës dhe ai ka një avokat që mund t’i adresohet gjykatës,” tha prokurori Hardaway.
Edhe Shala, njësoj si prokurori, duke kërkuar falje arsyetoi reagimin e tij.
“Edhe unë i kërkoj falje trupit gjykues për sjelljen time jo të duhur por janë që shtatë vjet që po zgjat ky proces dhe mund të ketë shpërthime,” tha Shala.
Përveç reagimit të të akuzuarit Endrit Shala, edhe mbrojtja disa herë kundërshtoi pyetjet e prokurorit për dëshmitarin, duke i konsideruar sugjestive.
Trupi gjykues disa nga këto vërejtje i pranoi e disa i refuzoi.
Fatmir Limaj akuzohet për shpërdorim detyre dhe krim të organizuar në kohën sa drejtonte ish-Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit.
Në procesin e njëjtë me Limajn për të njëjtat akuza nga Prokuroria Speciale e Kosovës po ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku dhe Florim Suka.