Foto: Nisma Socialdemokrate/ Facebook

Zyrtarët e Nismës presin në takim Ilir Metën

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, sot është takuar me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.

Nisma ka njoftuar se ata kanë bashkëbiseduar për zhvillimet politike nëpër të cilat po kalojnë dy vendet.

“Kryetari Limaj dhe presidenti Meta diskutuan edhe për nevojën e domosdoshme të rritjes së bashkëpunimit dhe harmonizimit të qëndrimeve të institucioneve tona, lidhur me projektet që janë me rëndësi dhe në interes të qytetarëve të dy vendeve tona”, thuhet në njoftimin e kësaj partie politike.

“Në fund të takimit, kryetari Limaj e ka uruar presidentin Meta dhe gjithë popullin shqiptar për festat e Nëntorit”, thuhet në njoftim.

Nisma Socialdemokrate ka mbetur jashtë Kuvendit të Kosovës nga zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit 2021.

Presidenti shqiptar Ilir Meta po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë. Ai sot ka nisur takimet me përfaqësues politik dhe institucional të vendit.