Haradinaj dhe Limaj po dëshmojnë sot në Gjykatë për rastin e Zonës Ekonomike në Malishevë

Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj do të dëshmojnë në procesin gjyqësor ndaj ish-kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, dhe shtatë personave të tjerë, të cilë po akuzohen për rastin e “Zonës Ekonomike të Malishevës”, konkretisht se kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik, si dhe duke e shpallur këtë pjesë zonë me interes të veçantë.

Të njëjtit i janë përgjigjur thirrjes së gjykatës dhe janë paraqitur në Gjykatën e Prishtinës në cilësinë e dëshmitarëve.

Propozimin për dëshmitar e kishte bërë avokati Ymer Huruglica, mbrojtës i ish-ministrit Bajram Hasani.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani atë kohe, në një mbledhje të Qeverisë kishte propozuar kolegëve në kabinetin qeveritarë një pikë e cila pritej t’i kushtojë buxhetit  të Kosovës me dhjetëra miliona euro.

Ministri Hasani para kabinetit qeveritarë kishte paraqitur një kërkesë të Komunës së Malishevës për krijimin e zonës së veçantë ekonomike e cila shtrihet në tri fshatra, Banjën e Malishevës, Bellanicën dhe Senikun.

Mirëpo, ky propozim i ministrit Hasani ishte kundërshtuar pikërisht nga ish-bashkëpartiakët e dikurshëm, ministri Abelard Tahiri dhe Besim Beqaj.

Madje për këtë rast si dëshmitar në seancat e mëparshme ishte dëgjuar edhe deputeti nga radhët e Patisë demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri

Sipas Abelard Tahirit, në atë kohë, Qeveria e Kosovës nuk mund të hyjë në këso obligime pa e ditur saktë koston e projektit për shpronësim, meqë në arsyetimin e tij, ministri Hasani nuk kishte përmendur fare koston e shpronësimit.

E se për çfarë kosto bëhet fjalë, Ministri Hasani i ksihte thënë Gazetës Jeta në Kosovë se nuk e di këtë, pasi që sipas tij Ministria e Ambientit duhet ta bëjë vlerësimin, mirëpo për një gjë thotë se është i sigurt, që nuk do të kushtojnë shumë.

Themelimi i kësaj zone të veçantë është propozuar të bëhet në Komunë të Malishevës që prek tri fshatra, Banjën, Bellanicën dhe fshatin Senik.

“Saktësisht nuk mundem me fol, veç është diku mbi 50 hektar”- ishte përgjigja e  Hasanit  në atë kohë.

E për këtë investim të madh të shpronësimit të mbi 50 hektarëve tokë private, Ministri Hasani kishte thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se nuk e ka diskutuar fare këtë temë me kryetarin e partisë së tij, Fatmir Limajn, ani pse Zona Ekonomike prekte edhe fshatin e tij.

Për Hasanin, nuk është problem kostoja, sepse sipas tij, kur është interesi madhor ekonomik, shteti duhet të marrë përsipër edhe koston e cila do të shërbente për punësim.

E me të ardhë në pushtet Qeveria e re e Kosovës “Kurti”, kishte marrë vendim me të cilin e kishte anuluar vendimin paraprak të qeverisë së kaluar për themelimin e zonës ekonomike të Malishevës.

Vendim ky i cili ishte marrë në mbledhjen elektronike të Qeverisë.

Qeveria poashtu ka anuluar procedurat e shpronësimit të tokave në Banjë të Malishevës, Bellanicë e Senik.

Pos Begajt, për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë të akuzuar Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaçi.

Ata po akuzohen për rastin e “Zonës Ekonomike të Malishevës”, konkretisht se kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik, si dhe duke e shpallur këtë pjesë zonë me interes të veçantë.

Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Faton Thaçi, dhe Ahmet Rrahmanaj.

Sipas dosjes së prokurorisë Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, dhe Faton Thaçi akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Këtë, prokuroria pretendon se e kanë bërë në atë mënyrë që si persona zyrtarë kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik si dhe duke e shpallur këtë pjesë zonë me interes të veçantë.

Ndërsa Ahmet Rrahmanaj nga prokuroria akuzohet për shpëlarje të parave në atë mënyrë që duke ditur se këto parcela janë blerë me aktivitete kriminale I ka transferuar dhe tentuar që t’i transferoj me qëllim të shmangies nga pasojat juridike.

Shkrime të tjera në lidhje me këtë rast mund ti ndiqni në këtë – LINK