Shefqet Kabashi duke dhënë dëshminë në Gjykatën Speciale - Foto: Screenshot

Shefqet Kabashi - Speciales: Nuk dua të bashkëpunoj me ju, ju dëmtoni vendin tim

Në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është duke dhënë dëshminë Shefqet Kabashi.

Ai është prezantuar nga gjyqtari Charles Smith III si dëshmtar i Prokurorisë, i cili dëshminë do ta japë përmes videolidhjes.

Dëshmitari po merret në pyetje nga prokurori Nathan Quick. Ai e pyeti Shefqet Kabashin fillimisht se përse ka vendosur ta japë dëshminë në anglisht dhe jo në shqip.

“Në anglisht sepse shpesh disa gjëra nuk janë kuptuar shkaku i dialektit” – u përgjigj dëshmitari Shefqet Kabashi.

Më tej Kabashi u pyet nëse dëshmia e tij paraprake e dhënë në Tribunalin Penal për ish-Jugosllavinë kundër Fatmir Limajt pasqyrojnë ato që ai do t’i thotë edhe sot.

“[Kur kam dhënë] dëshminë në këtë rast kam thënë vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër. Gjykatësi e di çfarë kam hequr pas këtyre dëshmive. Për ju është e thjeshtë të thoni vazhdoni [me seancën], për mua jo. Çdo pyetje ka të bëjë me 20 vite të jetës time dhe ju nuk keni bërë asgjë” – u përgjigj Shefqet Kabashi.

Më tutje duke shpërfillur pyetjet që donte t’i bënte prokurori, Shefqet Kabashi tregoi se ai nuk kishte gatishmëri për të dëshmuar në Gjykatën Speciale, dhe u shpreh se nuk mund të bashkëpunonte me Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

“Ju e dini që s’ka qenë gatishmëria ime për të ardhur, por ju keni gjetur të gjitha mënyrat e mundshme për të ardhur, ndaj dhe unë s’mund të bashkëpunoj me ju” – tha Shefqet Kabashi.

Sipas tij Gjykata Speciale i bën dëm Kosovës.

“Ju dëmtoni kaq shumë njerëz, dhe vendin tim” – u shpreh Shefqet Kabashi.

Më tej Prokuroria arriti të konfirmojë vërtetësinë e deklarimit të Shefqet Kabashit në gjykimin e Limajt, dhe kështu kërkoi nga Gjykata që e njëjta të pranohet si provë.

Gjë e cila u aprovua nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Charles Smith III, Christoph Barthe, Guénaël Mettraux dhe Fergal Gaynor.

Prokurori e pyeti atë se përse përderisa në rastin Limaj kishte dhënë dëshmi me masa mbrojtëse, kishte thënë se është quajtur tradhtar, dhe familja e tij ishte kërcënuar ai megjithatë kishte dëshmuar.

“Sepse nga viti 1998 që kam marrë urdhra për të vrarë njerëz dhe unë s’i kam vrarë këta njerëz ata s’janë ndalur asnjëherë. Edhe pse jeta ime ka qenë në rrezik s’jam ndalur asnjëherë. Për mua ka qenë me rëndësi se të gjithë kemi qenë shqiptarë pa marrë parasysh besimin dhe ndasitë politike. Ne nuk i bëjmë këto gjëra [vrasjet]” – u përgjigj dëshmitari Shefqet Kabashi.

Më tej ai u pyet nëse ishte përgjigjur në gjykimin kundër Ramush Haradinajt.

“Nuk kam dashur të përgjigjem, ju e keni këtë informacion, sepse që nga lufta krimet nuk kanë reshtur” – u përgjigj Shefqet Kabashi.

Ai e ka akuzuar prokurorinë, EULEX-in dhe Policinë se nuk kanë bërë asgjë për t’i ndalur krimet dhe madje dhe i bënë dëm atij.

“Ju si prokurori nuk bëtë asgjë për t’i ndalur [krimet], as EULEX-i, as Policia. Mendoj qe ky është institucioni më i korruptuar. Unë nuk bashkëpunova me ta ashtu siç ata donin ndaj ata u përpoqën të më bënin dëm. Dhe dërguan letër në Zyrën e Emigracionit, duke thënë se unë bashkepunoj me terroristë dhe unë do ta bombardoj Zyrën e Tribunalit” – tha më tej Shefqet Kabashi.

Dëshmitari u shpreh se masat mbrojtëse të aplikuara në gjykimet e mëhershme ku ai kishte dhënë dëshminë nuk kishin asnjë kuptim, sepse sipas tij, sidomos kur jep dëshmi për disa persona të UÇK-së, sidmos kur personi për të cilin dëshmon e di për çfarë do të flasë, janë të padobishme.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.