Foto: Nisma Socialdemokrate
Limaj bën thirrje për front të përbashkët demokratik kundër qeverisjes së Kurtit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka bërë thirrje për një front të përbashkët demokratik për t’i thënë jo rrënimit të mëtejshëm të shtetit, që sipas tij po e bën qeverisja aktuale e Kosovës.
“Ne si Nismë u bëjmë thirrje të gjithëve për një front të përbashkët demokratik, që bashkon forcat politike, qytetarët, patriotët që janë të gatshëm për tu bashkuar rreth një platforme politike dhe ekonomike të qartë” – ka thënë Limaj në një konventë politike të mbajtur sot.
Sipas Limajt, ky front i përbashkët demokratik, do të ketë për mision, hapjen e debatit politik e social, pastaj të shërojë këtë helm që e kanë përhapur një grup njerëzish, përplasjet mes qytetarëve t’i eliminojmë, të bashkojmë popullin rreth kauzave me interes nacional, të kthejmë partneritetin me miqtë ndërkombëtarë, të rikthejmë marrëdhëniet e mira me shtetin amë, me Tiranën t’i harmonizojmë politikat në çdo sferë, të rikonfirmojmë identitetin tonë euroatlantik deri në integrimin e plotë në mekanizmat ndërkombëtar, të fuqizojmë raportet me vendet e rajonit, për çështje që lidhen me të mirën e rajonit, etj.
“Qeveria Kurti është duke dëmtuar buxhetin e Kosovës, miliona euro për paga, duke qëndruar nëpër zyre e duke mos bërë asnjë punë për Kosovën. Duke qëndruar në zyre, nuk mund të ndërtohen autostrada, nuk mund të ndërtohen shkolla dhe nuk mund të jetësohet asnjë projekt i rëndësishëm për vendin” – ka shtuar kryetari i Nismës Socialdemokrate.
Fatmir Limaj tha se kreu i Qeverisë, Albin Kurti, është duke bërë një angazhim maksimal në funksion të mashtrimit të popullit të Kosovës dhe të partnerëve ndërkombëtarë, pa e vrarë mendjen se sa shumë dëm është duke i bërë Kosovës dhe të ardhmes së saj.
Sipas njoftimit të Nismës, Limaj ka thënë se rruga që Kurti ka zgjedhur, me logjikë të shpifjes e frikës, është rrugë e kompromiseve të rrezikshme për Kosovën, është rrugë që e fut Kosovën në kahje pa kthim, dhe nëse ai vazhdon me këtë logjikë, Kosova nuk do të ketë afër as OKB-në, as njohjen nga Serbia.
“NISMA është gati që me hapa konkret të shkoj drejt një fronti të përbashkët demokratik për ta ndryshuar e shpëtuar Kosovën nga kjo qeverisje e mashtrimit e mohimit të gjithë historisë së shtendërtimit të Kosovës” – ka theksuar Limaj.