Përvjetori i alfabetit - Foto: Facebook/HashimThaci

Thaçi: Krijimi i alfabetit shqip, ngjarja më e rëndësishme historike

110-vjetori i themelimit të alfabetit shqip i ka bërë bashkë krerët e Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës.

Me këtë rast, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi tha se krijimi i alfabetit është falë sakrificës dhe guximit të anëtarëve të Kongresit të Manastirit.

“Vendimi i Kongresit të Manastirit ngriti më së larti kulturën shqiptare, për këtë arsye nuk kemi të drejtë ta lëmë në harresë arsyen dhe guximin e anëtarëve të atij kongresi për bashkimin dhe krijimin e këtij alfabeti. Atyre nuk iu mungoi vullneti dhe largpamësia për të filluar këtë nismë”, tha Xhaferi.

Ai po ashtu shtoi se sot përvjetori i alfabetit festohet më një realitet më ndryshe, pasi sipas tij rajoni është pjekur.

“Sot festohet në një realitet te ri, jemi pjekur si shtet, si rajon dhe i shohim gjërat më ndryshe nga një perspektivë tjetër. Nuk ka më hapësira për barriera dhe kufij. Kohërat ndryshojnë, diskursi politik ndryshon, me rendësi është të kemi një qëllim të njëjtë dhe të arrijmë në integrimin e BE-së dhe NATO së bashku si shtete”, tha Xhaferi.

Në këtë manifestim fjala po ashtu iu dha edhe presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

Ai tha se ky vit ka qenë vit i sfidave për rajonin, derisa uroi Maqedoninë për miratimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare.

“Ky vit ka qenë vit i sfidave, marrëveshja për emrin si dhe miratimi i gjuhës shqipe në Kuvend. Rajoni ka kaluar në sfida dhe është koha për respekt reciprok. Të ndërtojmë ta bashkën tonë evropiane, në një rajon më të sigurt edhe mundësi më të mëdha për të jetuar në të”, tha Meta.

Pjesë e këtij manifestimi ishte edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai tha se krijimi i alfabetit shqip është ngjarja më e rëndësishme historike e vendit tonë, pa të cilën nuk mund as të projektohet e ardhmja.

“Kultura dhe qytetërimi ynë krenohen me ata që e kultivuan shkrimin shqip. Me këtë alfabet është shkruar deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë, deklarata e Pavarësisë së Kosovës dhe historia e ushtrive tona çlirimtare. Me të po shkruhet edhe marrëdhënia fqinjësore me rajonin dhe rruga europiane”, tha Thaçi derisa e uroi Maqedoninë për arritjen e marrëveshjes për emrin me Greqinë duke e quajtur “si shembull për ndërtimin e paqes në rajon”.