Gjatë takimit mes Presidentit Hashim Thaci dhe Kancelarit Sebastian Kurz- Foto: ZPRK

Thaçi: Austria do të marrë rol të fuqishëm në procesin e dialogut Kosovë- Serbi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit me kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz, para gazetarëve tha se Austria pasi të marrë presidencën e Bashkimit Europian do të ketë një rol të rëndësishëm në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nga 1 korriku Austria do ta merr rolin e udhëheqjes në presidencën në BE kështu që edhe dialogu, i cili është menduar të fillojë në fund të qershorit, apo fillim të korrikut, do të ketë një rol të rëndësishëm nga Austria në mënyre që ky proces i normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, i cili do të jetë i vështirë, mund të jetë një proces i përgjegjshëm për raportet evropiane si parakusht për të lëvizur lirshëm. Vetëm një zë unik evropian ku një zë të fuqishëm do të ketë Austria prandaj ishte një zotim i fuqishëm edhe i kancelarit se do të marr këtë detyrë”, tha Thaci.

Thaçi përmendi edhe mbështetjen që do japë Austria së bashku me kancelarin Kurz Kosovës për në INTERPOL.

“Diskutuam me kancelarin Kurz, për mbështetjen që Austria do t’i japë Kosovës në INTERPOL. Kosova ka implementuar në tërësi 95 kriteret e kërkuara nga Komisioni Evropian që kanë qenë specifike dhe të ndjeshme si demarkacioni me Malin e Zi”, tha Thaçi.

Ai përmendi edhe se procesi për normalizimin e raporteve me Serbinë nuk do të jetë i lehtë por shpreson se do të jetë i arritshëm.

Ndërsa, sipas një komunikate të Presidencës së Kosovës, në takimin Thaçi-Kurz është biseduar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në rrafshin politik, ekonomik, arsimor dhe kulturor.

“Kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Austrinë në të gjitha fushat. Austria është ndër investitorët kryesorë në Kosovë”, citohet të ketë thënë presidenti Thaçi.

Nga nikoqiri, presidenti Thaçi ka kërkuar mbështetje për dinamizimin e perspektivës europiane të Kosovës.

“Kosova është e përkushtuar për paqe të qëndrueshme, zhvillim dhe sundim të ligjit. Viti 2018 është vit i mundësive për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe tërë Ballkanit Perëndimor”, citon komunikata presidentin Thaçi.

Në takim është biseduar edhe për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kosova është e gatshme për fazën përfundimtare të dialogut. Jemi duke ndërtuar konsensusin politik dhe shoqëror për dialogun”, ka shtuar presidenti.

Sipas komunikatës, kancelari Kurz ka thënë se e përkrah Kosovën në liberalizimin e vizave dhe ka kërkuar avancim të bashkëpunimit ekonomik.