Ministrja për Dialog, Edita Tahiri - Foto: Qeveria e Kosovës

Tahiri e Kociancic Demantojnë Gjuriqin

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq të dielën, një ditë para se të nisin bisedimet në Bruksel, sipas medieve serbe i tha televizionit publik të këtij vendi se do të bisedohej për telekomunikacionin dhe Asociacionin e Komunave Serbe.

“Nesër fillojmë bisedimet për Asociacionin e Komunave Serbe dhe telekomunikacionin dhe për ne është shumë e rëndësishme dhe çështje thelbësore politike asociacioni, por është e rëndësishme që Telekomi i Serbisë si kompani jona duhet pa pengesa të funksionojë dhe të mundet të punojë në Kosovë e Metohi,” kishte thënë Gjuriq për RTS-në.

Po të dielën Zyra për Komunikim Publik e Kryeministrisë në Kosovë njoftoi se në Bruksel do të diskutohej vetëm për kodin telefonik të Kosovës,  duke mos përmendur vazhdim bisedimesh për asociacionin.

Edita Tahiri, shefja e delegacionit kosovar në këto bisedime e konfirmoi për KALLXO.com se asociacioni nuk ishte temë e takimit të së hënës.

“Kemi biseduar vetëm për kodin telefonik dhe asociacioni nuk ishte fare në agjendë,” tha shkurt Tahiri.

Edhe Maja Kociancic, zëdhënësja përfaqësueses së lartë të BE-së Federica Mogherini, nëpërmjet postës elektronike tha për KALLXO.com se është biseduar vetëm për telekomin.

“Është diskutuar për telekomin. Ne jemi duke i ndërmjetësuar bisedimet, si lehtësues i dialogut në mes të dy palëve,” tha Kociancic.

Delegacionet serbe dhe kosovare u takuan edhe para dy javësh kur u morën vesh për nisjen e punimeve të revitalizimit të urës së Ibrit.

http://kallxo.com/ura-e-ibrit-hapet-pas-5-muajsh/