Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Takimi i javës së ardhshme në Bruksel, Bislimi konfirmon pjesëmarrjen
Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër dhe kryenegociator në bisedimet me Serbinë, ka konfirmuar përmes këshilltarit të tij, Klisman Kadiu, pjesëmarrjen në takimin e së martës, më 19.03.2024, në Bruksel.
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak ka ftuar, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, për të vazhduar diskutimet, të martën e javës tjetër (19.03.2024).
Këshilltari për media i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu ka deklaruar përmes një postimin në Facebook, se zëvendëskryeministri, i është përgjigjur pozitivisht ftesët së Lajçakut për një takim në nivel kryenegociatorësh.
Këshilltari Kadiu ka bërë të ditur se pas takimit të 5 marsit (2024), javën e kaluar me emisarin Mirosllav Lajçak, zëvendëskryeministri Bislimi ka pranuar një ftesë nga ai, për takimin e radhës në kuadër të procesit të dialogut, në nivel kryenegociatorësh, për të martën e ardhshme (19.03.2024).
Sipas tij, ftesa potencon si fokus të agjendës së diskutimeve avancimin e zbatimit të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit si dhe Aneksin Zbatues.
“Kosova i përgjigjet pozitivisht ftesave të cilat kanë për qëllim përqendrimin në rrugën përpara e zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të procesit të dialogut, të cilat duhet të çojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe finalizimit të procesit. Qasja jonë konstruktive duhet të njihet me konstruktivitet e bashkëpunim dhe nga pala tjetër”- ka thënë Klisman Kadiu, këshilltari për media i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.
Një nga pikat e diskutimeve pritet të jetë çështja e dinarit serb.
Mbajtja e takimit të radhës në nivel të kryenegociatoërve, Bislimi e Petkoviq është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Ai ka bërë të ditur se ky takim me ftesë të Mirosllav Lajçak, do të mbahet javën e ardhshme më 19.03.2024, në Bruksel.