Kurti për takimin e Gjuriqit me të kërkuarin nga INTERPOL-i: Terroristi Radoiçiq është i lirë, i mbrojtur nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar takimin e ambasadorit të Serbisë në ShBA, Marko Gjuriq me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili kërkohet nga INTERPOL-i në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24.09.2023.

Ky takim, sipas Kurtit nuk ka ndodhur në vakum. Këtë koment ai e bëri teksa foli për djegien e lokalit të Nënkryetares së Zveçanit, Natasha Tomaniq.

“Ky sulm (ndaj lokalit të Natasha Tomaniq) nuk ndodhi në vakum. Njëjtë siç pamjet e kriminelit e terroristit Millan Radoiciq duke terrorizuar komunitetin serb dhe pastaj takimin me ambasadorin e Serbisë në SHBA, po ashtu nuk ndodhën në vakum” – tha Kurti, më 13.03.2024, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Këto veprime, sipas Kurtit paraqesin përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë në bashkëpunim me Rusinë për destabizlimin e Kosovës dhe rajonit dhe janë pasojë direkte e mosndëshkimit të Serbisë për sponsorizimin e sulmit terrorist të paramilitarëve nga Serbia në Basnjkë.

“Radoiciq është i lirë, i mbrojtur në Serbi e nga Serbia. Që nga 24 shtatori kemi kërkuar ekstradimin e terroristëve që vranë rreshterin, heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku në Kosovë. Deri më sot Serbia nuk është përballur me asnjë pasojë për sulmin terrorist paçka se përfshirja e saj është bërë e njohur publikisht e botërisht” – shtoi shefi i ekzekutivit.

Ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq, e ka quajtuar publikimin e fotografive të tij me Radoiçiq fushatë negative ndaj tij.

Ai ka thënë se nuk do t’i kërkoj falje kryeministrit të Kosovës Albin Kurti as ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla ndërsa ka thënë se nuk është fshehur ndonjëherë për kontaktet e tij.

“Do të isha i zhgënjyer nëse nuk do të niste një fushatë negative me rastin e rikthimit tim të fundit. Edhe nëse do të ishte shumë e zbehtë ajo. Nuk e kam ndërmend t’i kërkoj falje Kurtit e Sveçlës, e njerëzve tjerë keqdashës për asgjë. Nuk i kam fshehur dhe as nuk jam turpëruar asnjëherë për kontaktet publike që kam në punën që bëj” – ka shkruar ai më 10.03.2024.

Politikani serb Nikola Sanduloviq, më 09.03.2024 në platformën “X” kishte postuar fotografi të Gjuriqit me Radoiçiqin dhe e ka pyetur Bashkimin Europian e SHBA-në, se si është reagimi i tyre ndaj kësaj.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë  se është në dijeni të raportimeve të mediave për siç thotë ai “takimin e supozuar.” Ai ka thënë se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për Radoiçiqin është i njohur. Sipas tij, Radoiçiq është një kriminel që duhet të mbajë përgjegjësi.

Po ashtu, ai ka shtuar se Serbia duhet të mbajë përgjegjës ata të përfshirë në sulmin e kryer në Banjskë.

Ndërkaq, Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, ka deklaruar se nuk komenton çdo takim të anëtarëve të administratës serbe me njerëz të ndryshëm, i pyetur lidhur me këtë takim.

Radoiçiqi gjithashtu është i sanksionuar nga SHBA-ja.