Foto: Nikola Sanduloviq, "X", 09.03.2024

Stano për takimin Gjuriq-Radoiçiq: Nuk na takon të komentojmë çdo takim të anëtarëve të administratës serbe

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, ka deklaruar se nuk komenton çdo takim të anëtarëve të administratës serbe me njerëz të ndryshëm.

Kështu tha Stano kur u pyet në lidhje me raportimet se ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq, është takuar me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili kërkohet nga INTERPOL-i në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24.09.2023.

Ai theksoi se qëndrimi i BE-së për sulmin në Banjskë mbetet i njëjtë dhe se janë ende në pritje të raportit përfundimtar mbi hetimin e atyre ngjarjeve që ndodhën më 24.09.2023.

“Nuk na takon ne të komentojmë çdo takim të anëtarëve të administratës serbe me njerëz të ndryshëm. Mendoj se kë takoni reflekton mbi ju, qoftë ai i dyshuar për veprime kriminale, por kur aludohet për sulmin në Banjskë, qëndrimi i Bashkimit Europian mbetet i njëjtë, presim zyrtarisht raportin përfundimtar mbi hetimin dhe atëherë do të shohim se si të veprohet tutje. Deri tani këtu në Bruksel nuk kemi parë asnjë raport”-tha Stano në një konferencë për media më 11.03.2024.

Në anën tjetër, ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq, ka reaguar më 10.03.2024 pas publikimit të një fotografie ku ai shihet në takim me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili kërkohet nga INTERPOL-i në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë.

Fotografia është shpërndarë në rrjete sociale dhe media më 09.03.2024, duke ngjallur reagime në opinionin publik.

Përmes rrjetit social “X”, Gjuriq këtë e ka quajtur fushatë negative ndaj tij.

Ai ka thënë se nuk do t’i kërkojë falje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, as ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, ndërsa ka shtuar se nuk është fshehur ndonjëherë për kontaktet e tij.

“Do të isha i zhgënjyer nëse nuk do të niste një fushatë negative me rastin e rikthimit tim të fundit. Edhe nëse do të ishte shumë e zbehtë ajo. Nuk e kam ndërmend t’i kërkoj falje Kurtit e Sveçlës, e njerëzve tjerë keqdashës, për asgjë. Nuk i kam fshehur dhe as nuk jam turpëruar asnjëherë për kontaktet publike që kam në punën që bëj”- ka thënë ai.

Kurse ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha për KALLXO.com se është në dijeni të raportimeve të mediave për, siç thotë ai, “takimin e supozuar.”

Ai ka thënë se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për Radoiçiqin është i njohur. Sipas tij, Radoiçiq është një kriminel që duhet të mbajë përgjegjësi.

Po ashtu, ai ka shtuar se Serbia duhet të mbajë përgjegjës ata të përfshirë në sulmin e kryer në Banjskë.

“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për zotin Radoiçiq është i njohur. Radoiçiq është nën sanksionet e qeverisë amerikane për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar transnacional. Siç kanë thënë zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane: Serbia duhet të mbajë përgjegjës të përfshirët në sulmin e kryer nga paraushtarakët etnikë serbë në Banjska që rezultoi në vdekjen tragjike të një rreshteri të Policisë së Kosovës.”

“Ne kemi një pikëpamje të qartë për zotin Radoiçiq. Ai ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjska përmes avokatëve të tij. Ai është një kriminel që duhet të mbajë përgjegjësi”- thuhet në përgjigjen e ambasadorit Hovenier për KALLXO.com.

Ndërkohë  KALLXO.com ka publikuar më  09.03.2024 një reportazh nga hoteli ‘Grey’ në Kopaonik, bashkëpronar i të cilit deri së voni ishte Millan Radoiçiq, i forti i veriut, ish-nënkryetari i Listës Serbe, i mbështetur nga Aleksandar Vuçiq.

Reportazh nga çerdhja e pushtetit brutal të Radoiçiqit

www.kallxo.com