Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq - Foto: REL

Iu publikua fotografia në takim me Radoiçiqin, reagon Gjuriqi

Ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq, ka reaguar më 10.03.2024 pas publikimit të një fotografie ku ai shihet në takim me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili kërkohet nga INTERPOL-i në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24.09.2023. Radoiçiqi gjithashtu është i sanksionuar nga SHBA-ja.

Fotografia është shpërndarë në rrjete sociale dhe media më 09.03.2024 duke ngjallur reagime në opinionin publik.

Foto: Nikola Sanduloviq, “X”, 09.03.2024

Përmes rrjetit social “X”, Gjuriq këtë e ka quajtur fushatë negative ndaj tij.

Ai ka thënë se nuk do t’i kërkoj falje kryeministrit të Kosovës Albin Kurti as ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla ndërsa ka thënë se nuk është fshehur ndonjëherë për kontaktet e tij.

“Do të isha i zhgënjyer nëse nuk do të niste një fushatë negative me rastin e rikthimit tim të fundit. Edhe nëse do të ishte shumë e zbehtë ajo. Nuk e kam ndërmend t’i kërkoj falje Kurtit e Sveçlës, e njerëzve tjerë keqdashës për asgjë. Nuk i kam fshehur dhe as nuk jam turpëruar asnjëherë për kontaktet publike që kam në punën që bëj.”

Përveç përfaqësuesve të ndryshëm serbë me të cilët kam kontakte të rregullta dhe më pëlqen të takohem edhe sot e kësaj dite, unë jam takuar shumë herë, në kuadër të punës sime, edhe me udhëheqës të shumtë shqiptarë, të cilët janë akuzuar nga drejtësia vendase dhe ndërkombëtare për krime të papërshkrueshme lufte ndaj popullit tim. Kjo ka qenë gjithmonë pakrahasueshëm e vështirë për mua personalisht. Si dhe takimet që kam pasur me etnonacionalistët Kurti e Sveçla, që brutalisht u shkelin të drejtat elementare serbëve në Kosovë dhe M. dhe kanë gjak të pafajshëm në duart e tyre”-ka shkruar Gjuriq në platformën “X”.

 

Politikani serb Nikola Sanduloviq, më 09.03.2024 në platformën “X” kishte postuar fotografi të Gjuriqit me Radoiçiqin dhe e ka pyetur Bashkimin Europian e SHBA-në, se si është reagimi i tyre ndaj kësaj.

 

“A mundeni ju, Miroslav Lajçak, Josep Borrell, Richard Grenell e Gabriel Escobar të përshkruani këtë foto? A keni thënë ju ambasador Hill se Serbia kurrë nuk ka pasur ambasador më të mirë në SHBA sesa Marko Gjuriqin? Ambasadori serb në SHBA, Gjuriq, që pritet të bëhet kryeministër i ardhshëm i Serbisë, është parë duke darkuar me të kërkuarin nga Interpoli dhe ta sanksionuarin nga SHBA-ja, Milan Radoiçiq, një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ishte prapa sulmit në Banjskë ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës. Cili do të jetë reagimi i SHBA-së dhe BE-së ndaj kësaj dëshmie të qartë të lidhjes mes një krimineli të kërkuar nga Interpoli e një terroristi si Radoiçiq, me elitën e qeverisë serbe?” – ka pyetur Sanduloviq.

Sanduloviq ishte rrahur brutalisht nga policia serbe, pasi kishte bërë homazhe te varret e Jasharëve në Prekaz.

Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për ngjarjet e 24.09.2023 në Banjskë të Zveçanit, ku grupi i tij i armatosur kishte vrarë Afrim Bunjakun, oficerin e Policisë së Kosovës. Në kundërpërgjigjen e Policisë ishin vrarë edhe tre anëtarë të grupit të Radoiçiqit.

Kosova ka lëshuar fletarrestim ndaj tij por Radoiçiq shëtit i lirë nëpër Serbi.

Ndërkohë  KALLXO.com ka publikuar më  09.03.2024 një  reportazh nga hoteli ‘Grey’ në Kopaonik, bashkëpronar i të cilit deri së voni ishte Millan Radoiçiq, i forti i veriut, ish-nënkryetari i Listës Serbe të mbështetur nga Aleksandar Vuçiq.

Reportazhi i plotë: 

Reportazh nga çerdhja e pushtetit brutal të Radoiçiqit