Gjykimi i ish-zyrtarëve të akreditimit | Foto: KALLXO.com

SMS-të Rreth një Programi Diskutohen në Gjykimin e ish-Zyrtarëve të Akreditimit

Në gjykimin e ish-zyrtarëve të Agjencisë së Akreditimit Basri Muja e Ferdije Zhushi si dhe Armend Mujës, si dëshmitar i radhës u dëgjua Agon Demjaha, profesor në Kolegjin “Universum”.

Demjaha dëshmoi për disa SMS të cilët i kishte shkëmbyer me njërin nga anëtaret e komisionit për akreditim.

I pyetur nga prokurori i Prokurorisë Speciale Abdurrahim Islami nëse dëshmitarit i kujtohej një deklaratë e tij e dhënë në polici dhe se për çfarë kishte dëshmuar, ai tha se kishte pasur të bënte me disa biseda të tij të cilat i ishin përgjuar.

“Kam dhënë deklaratë për akreditimin e programit të gjuhës angleze, respektivisht për mosakreditimin. Unë qëndroj pranë asaj deklarate që e kam dhënë atëherë, edhe pse nuk më kujtohet. Inspektori i kishte përgjuar porositë në mes meje dhe një personi të huaj që ka qenë anëtar i komisionit për akreditim”, deklaroi dëshmitari Agon Demjaha.

Më tutje dëshmitari se me anëtarin e jashtëm të komisionit për akreditim kishte komunikuar pas vonimit të raportit për akreditimin e programit të gjuhës angleze.

“Unë e kam njohur profesorin [e huaj], e kam pyetur se pse po vonohet raporti për akreditim të gjuhës angleze e ai më ka thënë se raporti është gati, detajet nuk i mbaj në mend, kjo punë i ka katër vjet, ai më ka thënë se raporti është gati dhe sikur po e pret dritën e gjelbër nga AKA”, tha dëshmitari.

Prokurori pyeti dëshmitarin se çfarë mendimi kishin anëtarët e jashtëm të komisionit për akreditim për programin e Kolegjit Universum.

“Sa e mbaj në mend në një nga porositë nga profesori thotë se programi është i mirë dhe më ka thënë se ata po kërkojnë që ta ndryshojnë raportin”, u përgjigj dëshmitari.

Më pas prokurori, dëshmitarit i ofroi në shikim SMS-të e shkëmbyer në mes të tij dhe profesorit, në gjuhë angleze dhe shqipe dhe kërkoi nga dëshmitari që të deklaronte nëse ata SMS kanë përmbajtje të njëjtë si në anglisht ashtu edhe në shqip.

“Në anglisht është teksti i njëjti ai që e kemi shkëmbyer, ndërsa sa i përket asaj në gjuhën shqipe nuk dua të hyj në rolin e përkthyesit ka gabime drejtshkrimore, por së paku i ngjan. E përsëris, qëndroj pranë deklaratës së dhënë më herët në polici. Kto që janë këtu janë të vërteta ato që kam komunikuar”, u shpreh dëshmitari.

Pastaj prokurori e pyeti dëshmitarin se cili kishte qenë komenti i ekspertit për mosakreditimin e programit të gjuhës angleze.

“Ke të drejtë të jem i sinqertë rekomandimi im fillestar ka qenë akreditimi për një vit me mundësi inspektimi për një vit, por AKA ka rregulla specifike për angazhimin tonë të cilat në bazë të kontratës ne duhet t’i respektojmë. Më bënë të trishtuar sepse do të mund të ishte një program i mirë”, thuhej në përgjigjën e prof. Goodspeed në një nga SMS-të e këmbyer në mes tij dhe Agon Demjahaj.

Ndërsa mbrojtësi i Basri Mujës, dëshmitarin e pyeti nëse kur i ishte kërkuar që të dëshmonte në polici, a kishte qenë i ftuar përmes ftesës apo ishte ftuar me anë të telefonit.

“Nuk jam i sigurt por sa e mbaj në mend në telefon. Mua as nuk më është përmendur që do të dëshmoj, më ka treguar që do te diskutohet më lidhje me disa SMS, por nuk më është thënë se do të jem dëshmitar”, u përgjigj dëshmitari.

“Ato SMS a i ka pasur në letër prokurori apo janë nxjerrë nga telefoni yt”, e pyeti avokati Tmava.

“Ato i kishte pasur gati në letër, nuk i ka nxjerrë nga telefoni im, prandaj u shokova”, u përgjigj dëshmitari duke shtuar se atij nuk i ishte thënë se ata SMS janë nxjerrë me autorizim.

Më tej mbrojtësi i Ferdije Zhushit, avokati Gëzim Kollçaku kërkoi të dinte nga dëshmitari se pse ai kishte deklaruar se gjatë bisedës me profesorin, ai i kishte thënë “ata po kërkojnë ta ndryshojnë raportin”, fjalë këto të cilat tha se nuk ndodhen në SMS-të të cilat i posedon ai dhe gjykata.

Dëshmitari tha se as ai nuk e pa këtë përmbajtje në SMS-të e prezantuar nga prokurori, por tha se mund të ketë edhe SMS të tjera, për çka shtoi se ai qëndron pranë deklaratës së dhënë në polici.

Edhe vetë e akuzuara Ferdije Zhushi kërkoi sqarime nga dëshmitari në lidhje me atë që kishte deklaruar dhe më atë që përmbanin SMS-të.

“Sqaro për thënien qe tha se po e presim dritën e gjelbër nga agjencia për me e dërgu raportin, për shkak se në SMS nuk figuron kjo”, tha Ferdije Zhushi.

Për këtë dëshmitari u përgjigj kështu: “Nuk jam i sigurt se ky është i tërë komunikimi që e kam pasur me profesorin, aq sa mbaj në mend një pjesë e komunikimit ka qenë para se të vijë raporti, një pjesë pasi edhe pse ka kaluar shumë kohë, unë e kam të ngulitur se është vonuar raporti, kam pyetur se pse është vonuar. Ata më kanë thënë se po e presin dritën e gjelbër nga AKA për me e dorëzu raportin”, tha dëshmitari.

Kurse kryetarja e trupit gjykues, Valbona Selimi e pyeti dëshmitarin për arsyen e komunikimit me profesorin.

“Sepse është vonuar raporti unë këtë komunikim e kam bërë pasi që është vonuar raporti. Më ka kërkuar menaxhmenti, mund të ketë qenë Alejdini por nuk më kujtohet”, tha dëshmitari.

Në këtë proces gjyqësor Basri Muja dhe Ferdije Zhushi ngarkohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje dhe në vazhdim dhe për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerjeje.

Ndërsa Armend Muja akuzohet për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerje.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.