Sadriaj: Rukolli më Dëmtoi 100 Mijë Euro

Xhevat Sadriaj, pronari i pronës së privatizuar në afërsi të Hotelit Grand, po thotë së dëmi i shkaktuar nga uzurpatori Rrustem Rukolli arrin shifrën 100 mijë euro.

Mirëpo, ky i fundit në një intervistë të zhvilluar për KALLXO.com ditën kur Policia e mbylli pjesën e lokalit që i takon Sadriajt dhe që po shfrytëzohet nga Rukolli për klubin e natës të njohur si “Bab club”, tha së nuk është uzurpator por vetëm shfrytëzues.

Sadriaj pronari legjitim i një pjese të këtij lokali po thotë së pjesërisht është i kënaqur nga aksioni i Policisë sepse ai kishte pritur që prona e tij të lirohet qysh në vitin 2012, kur edhe e kishte privatizuar lokalin.

Këtë ai e ka pohuar në një intervistë për emisionin “Drejtësia në Kosovë” të dhënë nga Zvicra ku jeton e punon aktualisht.

“Realisht me tregu është dëmi mbi 100 mijë euro, ndërkaq tash qysh ka reaguar Policia unë kam menduar së e mbyllin lokalin komplet, ata vetëm e kanë tërheq, e kanë shtyrë në një pjesë tjetër që nuk e di ajo pjesë e kujt është. Po faktikisht edhe me reagimin e policisë pjesërisht i kënaqur se u kenë dashtë që ajo veprimtari që është zhvilluar 5 vite në prona të huaja u dashtë të mbyllet deri sa komplet të merren vesh pronarët mes veti”, theksoi Sadriaj.

Mirëpo, ditën e intervenimit të Policisë për mbylljen e lokalit “Bab club”, Rrustem Rukolli në një intervistë për KALLXO.com theksoi së nuk është uzurpator.

Policia e Kosovës në mëngjesin e hershëm të 6 majit nisi një aksion të gjerë të largimit të uzurpatorëve nga pronat e uzurpuara. Njëra nga pikat e ndalesës së Policisë ishte ajo te “Bab club” që gjendet në afërsi të Hotelit Grand.

http://kallxo.com/bab-club-nuk-dorezohet/

Intervistën e plotë me Xhevat Sadriajn, të realizuar nga kolegu Kreshnik Gashi, mund ta ndiqni në emisionin e kësaj jave të “Drejtësia në Kosovë”, që transmetohet në RTK të premten në orën 21:20.

Emisionin “Drejtësia në Kosovë” kishte raportuar edhe para disa viteve për “Bab club”-in.

Bab Club – Në Pronën e Pushtuar Paligjshëm