Edhe pas 7 viteve, prona e kompensuar nga Komuna e Istogut ka mbetur pa rrugë

Komuna e Istogut ka dështuar ta finalizojë ndërrimin e një parcele komunale me një pronë private. Ibrahim Bytyqi nga vitin 2015 kishte bërë kërkesën që ta ndërrojë një pronë prej 1 ari e gjysmë me Komunën e Istogut. Prona e Bytyqit ishte me interes për Komunën e Istogut sepse sot përdoret për rrugë. Ndërsa prona me të Komuna e Istogut e kompensoi Bytyqin ka mbetur pa rrugë.

Komunës së Istogut për shkak të mungesës së një zyrtari iu kishin dashur 7 vite që ta vërtetojë uzurpimin e një prone komunale. Edhe pas 7 viteve kur çështja kishte kaluar në gjykatë, gjyqtari Petrit Ndrecaj lëndën e këtij rasti e kishte referuar në ndërmjetësim.

Me ndërmjetësim nuk ishte pajtuar Komuna e Istogut dhe çështja përfundimisht pritet të trajtohet në Gjykatë. Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë për Selim Ademaj. Ademaj thekson se uzurpime të pronave në atë vend ka shumë e sipas tij tjerët ishin të fortë, e uzurpatorë po e quajnë vetëm atë.

Ibrahim Bytyqi tregon se si erdhi deri tek ky problem, ku kërkesa e Bytyqit u pranua nga Komuna e Istogut për ndërrim por që prona iu dha pa rrugë.

“Në vitin 2015 kam bërë kërkesë dhe m’u ka pranua ndërrimi i parcelave prona ime përdoret për rrugë ndërsa pronën ku me kompensoi komuna ka mbetur pa rrugë pasi aty një qytetar Selim Ademaj e ka uzurpu hapësirën përreth dhe prona e ime ka mbetur pa rrugë” – theksoi Bytyqi.

Ibrahim Bytyqi po ankohet se nuk po mundet të hapë rrugën sepse aty nuk po e lejon Selim Ademaj. Ndërsa Ademaj  thotë se Bytyqi mund ta përdor rrugën nga pjesa tjetër e pronës.

“Ibrahimi mundet me përdor rrugën andej kah prona e tij sepse e ka ngjitur me pronën ku ja ka dhanë komuna, këtu rrugë nuk ka me u hap sepse këtij prona ju ka ndërrua se ky jav bojke votat, e nëse hapet ka me u hap për krejt lagjen e jo veç për një individ”- theksoi Ademaj.

“Komuna mundet me ardh me kthy pronën, le ta përdor për çkado sepse këtu ka shumë prona të uzurpuara por duhet me vendos me i lshu krejt pronat jo veç unë” – tha më tej Ademaj.

Se prona në fjalë figuron në listën e pronave të uzurpuara e pranon edhe drejtori i Kadastrit në Komunën e Istogut, Agon Dreshaj. Por i njëjti thekson se nuk po munden me hapë rrugën pasi rasti është duke u trajtuar në gjykatë.

“Ne si organ administrativ nuk po mundemi me hap rrugën e asaj prone pas që çështja është në Gjykatë  mirëpo si të vendos gjykata ne do e hapim rrugën dhe do i krijojmë qasje asaj prone” – theksoi Dreshaj.

Komunës së Istogut për ta vërtetuar uzurpimin i janë dashur disa vite, kjo për mungesë të një zyrtari të zyrës pronësore juridike. Në vitin 2015 ishte zhvillua procedura administrative për konstatimin e uzurpimit mirëpo kjo procedurë ishte paraqitur në Polici vetëm në vitin 2021.

Prokuroria lëndën e ka dërguar në gjykatë, e Gjykata e Pejës – Dega në Istog lëndën u mundua disa herë për ta zgjidhur me ndërmjetësim. Gjyqtari nuk ka pranuar të flas për “Kallxo Pernime” por ka dërguar përgjigje me shkrim.

“Gjykata, me rastin e referimit të lëndës në fjalë në ndërmjetësim, ka vepruar konform dispozitave ligjore të Kodit Penal të Kosovës, Kodit të Procedurës Penale dhe Ligjit për Ndërmjetësim, ngase vepra penale që i vihet në barrë të pandehurit është e dënueshme me dënim me burgim deri në dy (2) vite dhe e njëjta vepër penale nuk ka qenë e ndaluar të referohet në procedurën e ndërmjetësimit konform Ligjit për Ndërmjetësim. Aktualisht kjo çështje penale, nga Zyra për Ndërmjetësim është kthyer tek gjyqtari i çështjes dhe do të vazhdohet procedura penale, sepse procedura e ndërmjetësimit nuk ka qenë e suksesshme. Lidhur me kërkesën tuaj për intervistimin e gjyqtarit, ju njoftoj se lënda në fjalë është në procedurë e sipër te gjyqtari i çështjes dhe është në kundërshtim me Kodin e Etikës për Gjyqtar që i njëjti të jap sqarim për mediume lidhur me rastet konkrete” – thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

Por ndërmjetësimin e kishte kundërshtuar Komuna e Istogut, përfaqësuesi ligjor i komunës, Adem Avdiaj.

“Gjykata fillimisht duhet të vërtetojë uzurpimin arbitrar të tokës komunale e më pas të kërkohet kompensimi i dëmit. Për këtë e kemi kundërshtuar edhe ndërmjetësimin” – tha Ademaj.

Prokuroria e Pejës në afat prej 4 muajve e kishte ngritur aktakuzën për uzurpim ndaj Selim Ademajt por edhe ky proces kishte ndodhur vetëm në vitin 2021 kur prokuroria ishte njoftuar nga pala Ibrahim Bytyqi se nuk po mundet të hapë rrugën në pronën e tij.

“Prokurorja e Shtetit, Lumturije Vuçetaj, e cila ka qenë koordinatore për veprat penale të uzurpimit të pronave, pasi ka pranuar informatat nga pala, me vetiniciativë  ka përpiluar shënim zyrtar me datë 05.05/2021 në Prokurorinë Themelore të Pejës, ku njëkohësisht ka autorizuar edhe Policinë e Kosovës që të verifikohen pretendimet e palës. Me datë 27.09.2021 Prokurori i shtetit ka ngritur aktakuzë për veprën penale “Uzurpimi i paligjshëm i pronës se paluajtshme” nga neni 320 paragrafi 1, lidhur me neni  77 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës ndaj të pandehurit S.A. Lidhur me zhvillimet e kësaj lënde ju lutemi t’i drejtoheni Gjykatës Themelore të Pejës”. – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Bytyqi pretendon se nuk po mundet të hapë rrugën e përfaqësuesi ligjor i komunës thekson se Ibrahim Bytyqi e ka edhe një pronë private lidhur me pronën e dhënë nga komuna e nga aty mundet me pas qasje në pronën e dhënë.

Ndër të tjera, një pronë prej 1.14 ari është ndërruar me një parcelë prej 2.34 ari ka mbetur pa rrugë e prona e Ibrahim Bytyqit po përdoret për rrugë. Komuna vonesën e hapjes së rrugë po e arsyeton pasi lënda është duke u trajtuar nga Gjykata.

Gjykata fillimisht kishte menduar që lënda të zgjidhet me ndërmjetësim por kjo nuk ishte pranuar nga Komuna.