Mangësitë në prova të prokurorisë - shkas që gjykimi ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve të shtyhet deri në fund të muajit

Në Gjykatën e Prishtinës, në gjykimin ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve të akuzuar për frikësim të dëshmitarëve dhe pengim të procedurës penale ishte paraparë të mbaheshin fjalët hyrëse të palëve.

Kjo nuk pati mundësinë të bëhej, pasi avokati Arianit Koci u shpreh në seancë se nuk ishin në gjendje të jepnin fjalët hyrëse pa u ditur gjendja faktike.

“Presim derisa gjykata të vendosë lidhur me urdhërin ndaj dëshmitarit “C”, si po vendos, pastaj vazhdojmë me fjalët hyrëse sepse gjendja faktike mund të ndryshojë”- tha avokati Koci në seancën e së premtes.

Dëshmitarët të cilët sipas prokurorisë janë penguar dyshohet se kanë dhënë deklarata të rrejshme në shqyrtimin gjyqësor ku po gjykoheshin Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Sabit Geci dhe Ismet Haxha për rastin e arratisjes nga QKUK-ja.

Çështjet për të cila gjykata pritet të vendosë janë edhe raporti i përgjimve për këtë dëshmitar dhe një dokumentacion shëndetësor serb.

Gjykata obligoi prokurorinë t`i dorëzojë gjykatës urdhërin për dëshmitarin e mbrojtur “C”, pasi sipas mbrojtjes urdhëri për këtë ka qenë në rastin “Drenica 1” dhe jo për këtë çështje që po gjykohet.

Prokurorja e rastit Florije Shamolli, në seancë i dha gjykatës kërkesën për këtë dëshmitar, por për urdhër tha se do të mundohet ta sigurojë deri më datën 20 të këtij muaji.

I akuzuari Sheremet Jashari i tha trupit gjykues se personi i cili e kishte akuzuar, germa “F” është i vdekur.

“Ai person që m’akuzon mua është i vdekur, e nuk vjen as me 20-tin as me 30-tin, avokati po m`thotë që e din prokurorja”- tha i akuzuari Jashari para trupit gjykues.

Tutje, avokati Koci i cili mbron të akuzuarin Rrustem Rukolli, tha se prokuroria duhet të tërhiqet nga kjo aktakuzë.

Sami Lushtaku, Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Majku, Ismet Haxha, Skender Tahiri, Sheremet Jashari, Bajram Dibrani, akuzohen për krim të organizuar e pengim të procedurës penale, duke i detyruar sipas prokurorisë dëshmitarët të jepnin deklarata të rrejshme.

seancën e së 22 shtatorit të këtij viti mbrojtja e Sami Lushtakut kërkoi që disa nga provat e prokurorisë të përjashtoheshin me arsyetimin se të njëjtat ishin marrë në kundërshtim me rregullat e procedurës penale.

“Si mund të përgjohet dëshmitari”- ishte shprehur avokati Artan Qerkini për provën e Prokurorisë Speciale të përfaqësuar nga Florije Shamolli.

Gjykimi i këtij rasti bëhet nga trupi gjykues prej Valon Kurtaj – kryetar, Valbonë Selimaj e Musa Konxheli- anëtarë.

Sipas prokurorisë dëshmitarët dyshohet të kenë mohuar deklaratat e dhëna në procedurë paraprake si rezultat i ndikimit nga të pandehurit.

Sipas prokurorisë, të pandehurit kanë nxitur dëshmitarin “C” për të dhënë deklaratë të rrejshme, duke i premtuar vend pune dhe i kanë ofruar shumën e parave në shumë prej 40 mijë euro dhe një banesë në lagjen Dardania në Prishtinë.

Në këmbim të mohimit të deklaratës në procedurë paraprake, të pandehurit i kishin paguar dëshmitarit “C” edhe trajtimin e gruas së tij në spital.

Kjo deklaratë e rrejshme kishte penguar në gjykimin e rastit “Arratija nga QKUK-ja” – P.938/13, ku ishin liruar nga akuza të pandehurit Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Sabit Geci, thuhet në dosjes së prokurorisë.

Përveç këtij dëshmitari, ata dyshohen se kanë ndikuar edhe në një dëshmitar tjetër duke e kërcënuar.

Sipas dosjes së prokurorisë, veprimet e të pandehurve në procedurë përbëjnë shkeljet sipas Kodit Penal: “Pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare dhe “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pjesëmarrje në një grup të organizuar kriminal”.

Seancat e parapara të mbaheshin më 6 dhe 7 nëntor, janë anuluar për të vazhduar më 29 nëntor të këtij viti.

Historiku procedural lidhur me rastin  e arratisjes së Sami Lushtakut

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 prill 2020 kishte shpallur aktgjykimin në rastin e arratisjes së ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtakut dhe të tjerëve nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), e cila kishte ndodhur në vitin 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.

Përveç Lushtakut, me nga 1 mijë euro gjobë ishin dënuar edhe gardianët të cilët kishin qenë në përcjellje të Lushtakut, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena.

Ndërsa të gjithë të akuzuarit tjerë, përfshirë edhe djalin e Lushtakut, Mërgim Lushtaku, si dhe Emrush Thaçi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj dhe Argjent Behramaj, ishin liruar nga akuza. Por, aktgjykimi ndaj të akuzuarit Thaçi dhe Shatri ishte anuluar nga Gjykata e Apelit.

Për dy raste të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar po akuzohej i pandehuri Thaçi, ndërsa për një vepër të kësaj natyre po akuzohet i pandehuri Shatri, i cili po dyshohet edhe për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumentit” dhe veprës penale “Lehtësim i arratisjes së personave të privuar nga liria”.

Tutje Emrush Thaçi dhe Nexhib Shatri ishin liruar prapë në rigjykim nga akuza me aktgjykim të shpallur nga gjykatësi Agim Kuçi. Ndryshe, prokurori i EULEX-it, Romelu Matues, kishte ngritur aktakuzë ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve më 17 nëntor 2016, të cilët i ngarkon me disa vepra penale e që lidhen me arratisjen e Lushtakut dhe të tjerëve nga QKUK, të cilët ishin dënuar në rastin e njohur si “Grupi i Drenicës”, dhe që në këtë qendër kishin shkuar për të marr shërbime mjekësore, për shkak të problemeve shëndetësore.

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për këto vepra penale “Pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare”, “frikësim gjatë procedurës zyrtare” si dhe “për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal”.

Për veprën penale të pjesëmarrjes në grup të organizuar kriminal akuzohen edhe Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjakum, Skënder Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani.

Ndërsa, Mërgim Lushtaku, Dardan Geci dhe Mervete Hasani Lushtaku, akuzoheshin për lehtësim të arratisjes së personave të privuar nga liria. Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, akuzoheshin për veprën penale të “Ofrimit të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale si dhe lirim i jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria”.

Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, akuzoheshin për veprën penale pengimi i Dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësimin gjatë procedurës penale në bashkëkryerje. Emrush Thaçi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka dhe Nexhib Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj akuzoheshin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Gjoka e Shatri, gjithashtu akuzoheshin edhe për falsifikim të dokumenteve dhe lehtësim i arratisjes për personat e privuar nga liria. Tutje, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena, akuzoheshin për lirim të jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria.

Lidhur me këtë rast, raportimet mund t’i ndiqni në këtë LINK.