Komuna e Skenderajt, Foto: Facebook

I zgjatet një kontratë kompanisë ‘Rukolli’, opozita në Skenderaj e kundërshton

Kuvendi Komunal i Skenderajt ka votuar të martën propozim-vendimin i cili plotëson dhe rrjedhimisht edhe ndryshon kontratën administrative të lidhur mes Komunës së Skenderajt me ndërmarrjen R&Rukolli Sh.p.k në vitin 2010.

Pika e katërt që ngriti opozitarët të lëshojnë sallën, ka të bëjë me ndryshimin e statusit të pronës në shfrytëzim. Bëhet fjalë për një objekt afarist banesor në qendër të qytetit të Skenderajt të ndërtuar nga investitori “R&Rukolli.

Pra, në kontratën e vitit 2010 mes Komunës dhe R&Rukolli ishin marrë vesh që kohëzgjatja e kontratës të ishte 40 vjet. 

Tash, me propozimvendim po kërkohet që të plotësohet kohëzgjatja në 99 vjet, pra të vazhdohen edhe 59 vite.

Më 9 mars 2022, R&Rukolli Sh.p.k ka parashtruar kërkesë në Komunën e Skenderajt për ndryshim të statusit të pronës në shfrytëzim.

“Me anë të kësaj kërkese ne kërkojmë ndryshimin e shfrytëzimit të tokës me nr. Të ngastrës 580-0 ZK Skenderaj nga 40 vjet në 99 vjet, për arsyeje që Agjencioni Kadastral i Kosovës nuk i ka regjistruar njësitë banesore për arsye të shfrytëzimit të tokës me afat 40 vjeçar”- thuhet në kërkesën të cilën e ka siguruar KALLXO.com.

Komuna e Skenderajt më pas iu është drejtuar Kuvendit Komunal që t’i lejohet investitorit ky ndryshim.

Kjo me arsyetimin se vendimi komunal dhe nënshkrimi i kësaj kontrate janë bërë para hyrjes në fuqi të Ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimit të pronës së paluajtshme komunale, dhe që Agjencioni Kadastral i Kosovës nuk e bën regjistrimin e njësive banesore për shfrytëzuesit e pronës me afat 40 vjet, vetëm me afat 99 vjet.

Sipas tyre, pasi që në vendimin e Kuvendit Komunal të cekur në pikën një nuk është përcaktuar afati i dhënies së pronës në shfrytëzim propozohet të ndryshohet vetëm kontrata administrative e lartcekur sipas nenit 66 paragrafi 1 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administratë.

Sipas nenit 66 te pika 1 e Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative thotë se “nëse për shkak të rrethanave që krijohen pas lidhjes së kontratës administrative, që nuk kanë mundur të parashikohen në kohën e lidhjes dhe në praninë e të cilave përmbushja e detyrimeve që burojnë nga kontrata bëhet jashtëzakonisht e vështirë për ndonjërën prej palëve kontraktuese, palët kontraktuese mund të pajtohen për ndryshimin apo prishjen e saj”.

Kundërshtitë e opozitës

Në seancën e mbajtur të martën, ishte Lista e Pavarur e Bekim Jasharit që kishte propozuar që opozita të lëshojë sallën pas raportimit të kryetarit Fadil Nura për votimin e kësaj pike të rendit të ditës.

Nga salla dolën asamblistë të Listës Ideal, Lëvizjes Vetëvendosje dhe NISMA.

Sipas Listës Ideal, Qeverisja Nura po vazhdon të keqpërdorë pronën komunale.

Ata po kundërshtojnë një vendim të tillë, sepse sipas tyre, po dëmton interesin e komunës dhe të qytetarëve dhe favorizon një kompani private.

“E gjithë kjo histori fillon në vitin 2009 kur pushteti i asaj kohe ia kishte dhënë pronën komunale në shfrytëzim kompanisë “Rukolli”, për ndërtim banesor dhe afarist në këmbim të marrjes së 21%  të investimit total, përqindje kjo për të cilën nuk janë paraqitur fare fakte që komuna ka marrë përqindje fitimi në atë kohë nga investitori. Për më tepër pushteti aktual tani dëshiron që pronën e dhënë në shfrytëzim, vite me parë për 40 vite tani të merrë në shfrytëzim edhe për 59 vite shtesë”- thuhet në reagimin e tyre të publikuar në rrjetin social “Facebook”.

Sipas tyre, kanë dyshime edhe në mënyrën se si është dhënë proceduralisht në vitin 2009 kjo pronë komunale, pasi shtojnë se mungon dëshmia që përfituesi ka kryer obligimet ndaj komunës në vlerën e 21% të investimit total.

Gjithashtu pretendojnë se raporti i komisionit që ka bërë pranimin teknik të objektit të ndërtuar në pronë komunale. 

“Po ashtu vlen të përmendim që për pronën në fjalë pushteti i njëjtë edhe një herë ia kishte rritur kompanisë në fjalë vitet e shfrytëzimit të pronës e që i bie që të jetë hera e dytë që kompanisë në fjalë jashtëligjshëm i bëhen favorizime” – thuhet mes tjerash në këtë reagim.

Lista “Ideal” ka paralajmëruar se do të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat ligjor për të kundërshtuar dhe ndaluar veprimet e tilla “të dëmshme” duke kërkuar nga Ministria që me çdo kusht ky vendim të anulohet kurse nga Prokuroria që të hetohet.

Në anën tjetër, Hysni Mehani, asamblist nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në një prononcim për KALLXO.com thotë se kjo zgjatje e kontratës nuk e zgjidh çështjen e banorëve që kanë blerë banesë aty të cilët, sipas tij, nuk po munden t’i regjistrojnë.

Po ashtu, sipas tij, Komuna nuk përfiton asgjë shtesë.

“Ne si subjekt jemi kundër sepse nuk e rregullon në realitet çështjen e banorëve të cilëve kanë blerë aty banesë. Por është qëllimi që me iu hedh hi, për me e zgjat për një kohë presionin që janë duke e bë banorët. Banorët e kanë kuptu që nuk munden me i regjistru banesat, edhe kanë fillu presionin ndaj kompanisë” – thotë ai. 

“Në anën tjetër, pa asnjë beneficion për komunën nuk ka ndonesë shtohen 59 vite. Nuk përfiton asgjë pra komuna. Qëllimi i tyre nuk është me bë zgjidhje, por me e heshtë, sepse kur është bë procedura për dhënies me koncesion është bërë për 40 vjet e tash nuk mundesh me këtë më shfuqizu me vendim të kuvendit komunal, në fakt kuvendi komunal nuk ka cka hynë fare të një kontrate e këtij lloji. Kuvendi komunal merr vendimin final, por tash me hyrë me ndryshu një akt është vetëm me i mashtru banorët” – thotë asamblisti i LVV-së. 

Komuna e Skenderajt në një përgjigje për KALLXO.com ka deklaruar se investitori ka bërë kërkesë më 9 mars 2022 për ndryshimin e statusit të pronës në shfrytëzim, me qëllim të korrigjimit dhe ndryshimit të kontratës administrative, pasi, sipas tyre, dhënia në shfrytëzim në vitin 2010 është bazuar në koncension me afat 40 vjet.

Sipas zëdhënësit të Komunës, Amir Lushtaku, ky vendim ishte marrë para se të hyjë në fuqi ligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme komunale.

Lushtaku thotë se është propozuar që të ndryshohet vetëm pjesa administrative e kontratës me qëllim që qytetarët që kanë blerë banesa në këtë pronë, t’i regjistrojnë njësitë banesore në emër të tyre.

“Ky vendim ishte marrë para se të hyjë në fuqi ligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme komunale dhe pasi në kohën e nxjerrjes së vendimit të vitit 2010 nga Kuvendi Komunal, nuk është përcaktuar afati i dhënies në shfrytëzim është propozuar që të ndryshohet vetëm pjesa administrative e kontratës me qëllim që qytetarët që kanë blerë banesa në këtë pronë, t’i regjistrojnë njësitë banesore në emër të tyre” – ka deklaruar Amir Lushtaku, zëdhënësi i Komunës së Skenderajt.

Në anën tjetër nga Kompania “R&Rukolli” thonë se në vazhdimësi kanë kërkuar zgjidhjen e këtij problemi, sipe tyre, për të ju mundësuar qytetarëve të realizohen të drejtën e tyre të shfrytëzimit banesorë.

Pasi siç thonë nga kompania, në këtë objekt banojnë 39 familje dhe se “këta banorë tërë kohën kanë kërkuar zgjidhjen e të drejtës së shfrytëzimit të banesave të tyre”.

“Vendimi i Komunës i asaj kohe ka qenë i pa caktuar në aspektin e shfrytëzimit kohor por kontrata është nënshkruar me afat të caktuar (40 vjet)”.

“Kjo ka paraqitur problem për regjistrimin e njësive banesore si e drejtë e shfrytëzimit te banorëve te këtij objekti andaj duke marr për bazë se komuna është palë në këtë proces dhe si autoritet publik kemi kërkuar qe kjo të rregullohet në mënyrë qe banoret të realizojnë te drejtën e tyre të banimit”- thonë nga kompania “R&Rukolli”.