Me kërkesë të prokurores, shtyhet sërish seanca ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve

Në Gjykatën e Prishtinës, shqyrtimi gjyqësor i sotëm ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve të akuzuar për frikësim të dëshmitarëve dhe pengim të procedurës penale dështoi të mbahet.

Në këtë seancë ishte paraparë që prokuroria sipas urdhërit të gjykatës, të dorëzojë provat e mbetura lidhur më këtë çështje.

Kryetari i trupit gjykues në këtë çështje, Valon Kurtaj njoftoi se prokurorja e rastit, Florije Shamolli, përmes e-mailit me 24 nëntor 2023 ka bërë kërkesë për shtyerje të seancës.

Prokurorja Shamolli, ka njoftuar se nuk ka arritur të përmbushë obligimin e caktuar nga ana e gjykatës në seancën e 3 nëntorit 2023.

Në seancën e 3 nëntorit 2023, gjykata obligoi prokurorinë t`i dorëzojë gjykatës urdhërin për dëshmitarin e mbrojtur “C’’ në këtë çështje.

E njëjta i’a kishte dhënë gjykatës kërkesën për këtë dëshmitar, ndërsa për urdhër kishte deklaruar se do të mundohej ta siguronte deri më datën 20 nëntor 2023.

Gjithashtu, gjykatësi Kurtaj njoftoi se do të komunikojë me prokuroren Shamolli për caktimin e një afati të arsyeshëm për përmbushjen e obligimeve që gjykata i ka dhëne Prokurorisë lidhur me këtë rast nga seanca e kaluar.

Edhe seanca e datës 30 nëntor 2023 është anuluar për të njëjtën arsye.

Dëshmitarët të cilët sipas prokurorisë janë penguar dyshohet se kanë dhënë deklarata të rrejshme në shqyrtimin gjyqësor ku po gjykoheshin Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Sabit Geci dhe Ismet Haxha për rastin e arratisjes nga QKUK-ja.

Çështjet për të cila gjykata pritet të vendosë janë edhe raporti i përgjimeve për këtë dëshmitar dhe një dokumentacion shëndetësor serb.

Në seancë ishin të pranishëm të akuzuarit Sami Lushtaku, Ismet Haxha, Bajram Dibrani, ndërsa munguan Rrustem Rukolli, Rexhep Gjota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri dhe Sheremet Jashari, për këtë të fundit gjykatësi tha se nuk e kanë njoftuar Policinë për ta sjellë në gjykim.

Gjykimi i këtij rasti bëhet nga trupi gjykues prej Valon Kurtaj – kryetar, Valbonë Selimaj e Musa Konxheli- anëtarë.

Sipas prokurorisë dëshmitarët dyshohet të kenë mohuar deklaratat e dhëna në procedurë paraprake si rezultat i ndikimit nga të pandehurit.

Sipas prokurorisë, të pandehurit kanë nxitur dëshmitarin “C” për të dhënë deklaratë të rrejshme, duke i premtuar vend pune dhe i kanë ofruar shumën e parave në shumë prej 40 mijë euro dhe një banesë në lagjen Dardania në Prishtinë.

Në këmbim të mohimit të deklaratës në procedurë paraprake, të pandehurit i kishin paguar dëshmitarit “C” edhe trajtimin e gruas së tij në spital.

Kjo deklaratë e rrejshme kishte penguar në gjykimin e rastit “Arratija nga QKUK-ja” – P.938/13, ku ishin liruar nga akuza të pandehurit Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Sabit Geci, thuhet në dosjes së prokurorisë.

Përveç këtij dëshmitari, ata dyshohen se kanë ndikuar edhe në një dëshmitar tjetër duke e kërcënuar.

Sipas dosjes së prokurorisë, veprimet e të pandehurve në procedurë përbëjnë shkeljet sipas Kodit Penal: “Pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare dhe “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pjesëmarrje në një grup të organizuar kriminal”.

Lidhur me këtë rast, raportimet mund t’i ndiqni në këtë LINK.