Pronari i kompanisë ‘Drena’: Nuk i shfrytëzojmë kapacitetet e plota prodhuese sepse ka mungesë të qumështit

Rrustem Rukolli, pronar i kompanisë “Drena”, e cila merret me prodhimin e qumështit dhe nënprodukteve të tij, në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur për mungesën e qumështit si lëndë e parë për prodhim në Kosovë.

Ai ka thënë se kompania ‘Drena’ dhe një tjetër kompani që merret me veprimtarinë e njëjtë, nuk i shfrytëzojnë kapacitetet e plota prodhuese për shkak të mungesës së qumështit.

“Ne për momentin mund të plotësojmë rreth 50 për qind të kërkesave të tregut. Por kapacitetet prodhuese edhe ne dhe kompania tjetër i kemi më të mëdha. Nuk i shfrytëzojmë kapacitetet e plota sepse nuk kemi lëndë të parë – qumësht”- ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se si prodhues në Kosovë duhet të importojnë produktet që kanë të bëjnë me ambalazhimin.

“Ne si prodhues kosovarë gjithçka duke përfshirë edhe ambalazhimin duhet me importu, çmimet e ambalazhit janë rritur”- ka thënë ai.

Ai ka thënë se edhe çmimi i lopëve është rritur, ndërsa ka shtuar se në Kosovë subvencionohet mbajtja e lopëve por jo blerja e tyre.

“Çmimet e lopës janë rritur shumë tash. Janë rritur në përgjithësi në Evropë. Kanë shku deri në 2,400 euro për lopë. 90 euro është për mbajtje të lopës. Kosova deri më tash nuk e ka subvencionuar blerjen e lopës”- ka thënë ai.

Tutje, sipas Rukollit, një tjetër problem është edhe hyrja ilegale e lopëve në Kosovë që, sipas tij, më së shumti hyjnë nga Serbia.

“Në Kosovë ka mundësi me hy edhe lopë të pakontrolluara, të cilat me vete sjellin edhe sëmundje dhe dëmtojnë edhe lopët e shëndosha. Kryesisht janë lopë që vijnë nga Serbia”- ka thënë ai.