Kasumi: Kemi nevojë për heqje të akcizës, një hektar patate nuk mund të punohet pa 500 litra naftë

Bedri Kasumi nga kompania “Pestova” ka thënë se fermerët që merren me kultivimin e patateve kanë nevojë për heqje të akcizës së naftës.

Këto komenti ai i bëri në emisionin “KALLXO Përnime” ku po diskutohet për sfidat e bujqve kosovarë.

“Kemi nevojë në heqje të akcizës për naftë. Patatja është kulturë që punohet shumë me mekanizëm bujqësor. Po flas për pataten që mendoj që harxhohet më së shumti naftë për hektar. Jo akcizë në përgjithësi por për traktor”- ka thënë Kasumi.

“Një hektar patate nuk mund të punohet pa 500 litra naftë”- ka thënë pronari i kompanisë “Pestova” që merret me prodhimin e farës së patates, kultivimit të patates për konsum dhe përpunim, si dhe shitjen dhe distribuimin e patates dhe produkteve të saj.

Ndërsa, lidhur me këtë çështje ministri i Bujqësisë, Faton Peci në “Kallxo Përnime” ka thënë se vitin e kaluar me subvencionimin e naftës është kalkuluar edhe akciza.

“Kur kemi vendosur që me subvencionu 54 euro për secilin hektar ne e kemi kalkuluar pikërisht me çështjen e akcizës, me 36 centë sa është akciza. Vitin e kaluar të gjithë fermerët që kanë marrë subvencione kanë marrë 54 euro shtesë”- ka thënë ai.

Peci ka thënë se edhe në vitin 2023 do të subvencionohet nafta me 54 euro për hektar.

“Nuk e kemi veçuar edhe këtë vit, do të shkojmë njëjtë edhe këtë vit me 54 euro”- ka thënë ministri i Bujqësisë.

Ndërsa tutje Kasumi nga kompania “Pestova” ka kërkuar nga ministri Peci të hiqet kushti për përfitim të subvencioneve, i cili kërkon që toka të mos jetë në hipotekë.

“Ne jemi kompani që zhvillohemi me kredi, të gjithë jemi me hipoteka. Kjo është e pakuptimtë. Unë kam pasë ndërmend me apliku edhe për një depo për të rritur kapacitetet për përpunimin e patates, nuk kam mujtë me apliku sepse toka ku do të ndërtohet ka qenë në hipotekë”- ka thënë ai.

Lidhur me ketë ministri Peci ka thënë se ekziston një ligj në Kosovë i cili nuk lejon heqjen e këtij kushti për përfitim të granteve.

“Ekziston një ligj i cili na pamundëson. Sepse arsyeshmëria është se çka nëse ai që ka një pronë në hipotekë nuk mund ta shlyejë borxhin. Edhe prej zyrës ligjore kam një arsyetim që nëse e largon futesh në rrezik të madh”- ka thënë ai.

Ndërsa, pronari i kompanisë ‘Drena’ Rrustem Rukolli ka thënë se ky kusht nuk përfshihet në grantet që shpërndanë Komisioni Evropian që vepron në Kosovë.

“Komisioni Evropian që punon në Kosovë dhe jep grante në Kosovë nuk pyet nëse prona është në hipotekë apo jo. Vetëm duhet me pasë në emër tënd pronën dhe je në rregull”- ka thënë ai.