Kryetari aktual i Istogut, Haki Rugova duke votuar në balotazhin e përsëritur - Foto: KALLXO.com

Rugova: Të Dy Partitë Mund edhe t'i Bartin Votuesit

Kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Istogut, Haki Rugova, ka votuar para pak çastesh në qendrën e votimit në shkollën “Haxhi Zeka” në Istog.

Në një prononcim për media, Rugova tha se qytetarët janë lodhur duke votuar për herë të tretë.

Ai shfaqi shpresën se procesi i votimit do të shkojë në rregull.

I pyetur nga mediat se a po barten votuesit me automjete në disa qendra të votimit, Haki Rugova tha se nuk ka informacione për këtë çështje.

“Por, sigurisht, që ka mundësi që edhe barten. Ka mundësi që edhe ajo parti edhe tjetra do t’i bartin njerëzit për shkak të pamundësisë që shkojnë në qendrat e votimit. Mirëpo, ndonjë imponim nuk e besoj dhe nuk e di në terren çka është duke ndodhur”, tha ai.

Ndryshe, qytetarët e komunës së Istogut po votojnë sot për kryetarin e tyre.

Në garë janë Haki Rugova dhe Gani Dreshaj i AAK-së.

Votimi i sotëm është përsëritje e balotazhit të 19 nëntorit.

Në votimet e rrethit të parë, Rugova e Dreshaj kishin marrë më së shumti vota, por jo të mjaftueshme sa për të fituar zgjedhjet e 22 tetorit.

Pas balotazhit LDK ishte ankuar për parregullsi me votat nga jashtë dhe Gjykata Supreme ka vendosur për përsëritjen e balotazhit.