Haki Rugova. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Kryetari i LDK-së, Abdixhiku me telegram ngushëllimi për vdekjen e Haki Rugovës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes së ish-nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova pas vdekjes së tij sot.
Abdixhiku, tha se Rugova ishte një personalitet dhe veprimtar i dalluar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke dhënë shembullin e përkushtimit dhe kontributit të jashtëzakonshëm në shtet ndërtimin e Kosovës.
Sot në moshën 65-vjeçare ka vdekur Haki Rugova.
Rugova ka qenë edhe kryetar i Komunës së Istogut.
Më poshtë e gjeni të plotë telegramin e ngushëllimit të Abdixhikut:
“E nderuara familje Rugova,
Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-nënkryetarit të LDK-së, ish-kryetarit të komunës së Istogut e të më të dashurit tuaj, Haki Rugova.
Haki Rugova ishte një personalitet dhe veprimtar i dalluar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke dhënë shembullin e përkushtimit dhe kontributit të jashtëzakonshëm në shtetndërtimin e Kosovës. Ai gjatë gjithë jetës u angazhua pandalshëm në proceset e vështira nëpër të cilat kaloi Kosova. Për më shumë se tre dekada qëndroi i palëkundur në veprimtarinë e tij atdhetare e politike dhe do të mbetet model i njeriut të urtë e punëtor, i afërt dhe bashkëpunues.
Haki Rugova u nda fizikisht nga ne, por vepra e tij do të kujtohet përjetësisht. Ndarja nga jeta e tij lë një zbrastirë të madhe jo vetëm për familjen, po edhe për gjithë qytetarët e Istogut dhe gjithë Kosovës, ndërsa LDK-ja humbi veprimtarin e madh të saj.
Në emrin tim dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës u shpreh ngushëllime familjes, miqve, bashkëpunëtorëve, qytetarëve të Istogut dhe të Kosovës.
Shpirtërisht dhe në lutje jemi me ju në këto çaste pikëllimi!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!”