Lirimi i Haki Rugovës nga Apeli, Prokuroria do t’i drejtohet supremes

Prokurori i rastit Ali Uka ka paralajmëruar se do të ushtrojë kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë ndaj aktgjykimit lirues të Apelit ndaj ish-kryetarit të Istogut, Haki Rugova.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar prokurori i rastit, Ali Uka.

“Po po, gjithsesi që do parashtrojmë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë sapo të marrim vendimin e gjykatës”, tha Uka.

Dje KALLXO.com ka raportuar për vendimin e Gjykatës së Apelit që ka liruar nga akuza për konflikt interesi ish-kryetarin e Istogut, Haki Rugova.

Rugova ishte dënuar nga shkalla e parë me 1 vit burgim efektiv.

Haki Rugova akuzohej se në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut ka nënshkruar kontratë me kompaninë e vëllait të tij, “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë, në vlerë rreth 289 mijë euro.

Aktakuza ndaj Rugovës, ishte ngritur me mars të vitit 2018, e që procesi gjyqësor zgjati më shumë se 3 vite.

Kryetar i trupit gjykues, në rastin e Rugovës, ishte gjykatësi Sami Sharraxhiu, ndërsa aktakuzën e ka përfaqësuar prokurori Ali Uka.

Aktakuza për konflikt interesi, ndaj të parit të Istogut Haki Rugova erdhi pasi Agjencia Kundër Korrupsionit kishte paraqitur kallëzim penal ndaj tij pas raportimit të marrë nga BIRN dhe Interneës Kosova.

“Agjencia Kundër Korrupsionit më 11 gusht 2017, ka pranuar informacionin nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese ‘BIRN’ dhe ‘Interneës Kosova’ ndaj Haki Rugovës për shkak të mundësisë së veprës penale konflikt i interesit”, thuhej në arsyetimin e kallëzimit penal të Agjencisë.

Ai dyshohej se më 1 gusht 2014 në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut me dashje ka marrë pjesë personalisht në nënshkrimin e kontratës ‘Ndërtimi i kanalizimit fekal në fshatin Cerrcë – Lubozhdë – faza e parë”.

Tenderin për ndërtimin e këtij kanalizimi e fitoi “’MA-CON’ sh.p.k, në pronësi të Gani Rugovës (vëllai i Haki Rugovës), në vlerë prej 289,119.85 euro, duke mundësuar kështu interes financiar për të (Haki Rugovën) dhe personin juridik që ka të bëjë me të.

Rugova është duke u hetuar edhe për një rast tjetër penal pranë prokurorisë së Pejës.

Më poshtë mund ta ndiqni hulumtimin e emisionit ‘Drejtësia në Kosovë’ i publikuar në vitin 2017-të, pas të cilit hulumtim ishte ushtruar kallëzim penal nga Agjensioni Kundër Korrupsion në Prokurorinë e Pejës për konflikt interesi ndaj Haki Rugovës: