Haki Rugova. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Arsyetimi Apelit për lirimin e Haki Rugovës nga aktakuza për konflikt interesi

Pas më shumë se 3 vite proces gjyqësor, një vendim i shkallës së parë e gjeti fajtor Haki Rugovën për konflikt interesi lidhur me kontratën e nënshkruar për vëllanë e tij, ndërsa vendimi i shkallës së dytë e ka liruar nga akuza Rugovën.

Gjykata e Apelit ka gjetur se nuk ka ekzistuar dashja në veprimet e Rugovës për të kryer veprën penale, pasi sipas tyre nënshkrimi i tij nuk kishte efekt në realizimin e interesit financiar në këtë procedurë të prokurimit për vëllanë e tij, Gani Rugovën.

Kjo gjykatë pas vlerësimit të provave ka konstatuar se kontrata e lidhur mes Komunës së Istogut dhe operatorit ekonomik është kontratë për kryerjen e punimeve, që si kontratë me vlerë të mesme duhet nënshkruar nga menaxheri i prokurimit publik dhe më këtë nënshkrim krijon efekt për palët që kanë lidhur kontratën.

Ndërsa, vetëm kur kontrata është me vlerë të madhe duhet nënshkruar nga zyrtari kryesor administrative, këtu nga kryetari i komunës.

Sipas gjykatës kjo kontratë konsiderohet e lidhur me nënshkrimin e kontratës nga menaxherja e prokurimit publik, dhe kështu Gani Rugova si përfaqësues i “MA-CON” ka realizuar interesin e financiar në procedurën e prokurimit publik që ka marrë pjesë nga nënshkrimi i menaxheres.

“Pavarësisht faktit që ishte nënshkruar kontrata edhe nga i akuzuari edhe pse nënshkrimi i të akuzuarit nuk kërkohej sipas ligjit, rrjedh se ai nënshkrim fare nuk kishte efekt në procedurën e zhvillimit të prokurimit publik”, thuhet në arsyetim.

Bazuar në këtë gjykata ka konstatuar se meqenëse nënshkrimi i Rugovës nuk kishte efekt juridik për interesin financiar në kontratën e lidhur, rrjedh se ai nuk ka pas dashje për të kryer veprën penale.

Ndërsa e ka vlerësuar si arbitrar qëndrimin e Gjykatës së Pejës ‘se është jo relevante ekspertiza e ekspertit të prokurimit publik edhe përkundër se është administruar në gjykim pasi që e njëjta shpjegon procedurën e prokurimit ndërsa i akuzuari është i ngarkuar për vepër penale të konfliktit të interesit’.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë ka për detyrim që në tërësi t’i vërtetojë faktet, qoftë fajësuese apo shfajësuese për të akuzuarin.

“… ndërsa të konstatohet se ekspertiza që sqaron procedurën e prokurimit është irelevante që ndërlidhet drejtpërdrejt me elementin e kësaj vepre penale për këtë gjykatë arsyetimi i tillë është tërësisht në kundërshtim me nenin 361 vlerësimi i provave dhe nenin 7 detyrimin për të vërtetuar saktësisht dhe tërësisht gjendjen faktike qoftë për faktet fajësuese apo shfajësuese, andaj për këto arsye kjo gjykatë nuk e pranon arsyetimin e tillë”, thuhet tutje në arsyetim.

Ndërsa prokurori i rastit, Ali Uka ka paralajmëruar se ndaj vendimit lirues të Gjykatës së Apelit do të paraqes kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.

KALLXO.com ka raportuar edhe për dënimin e Rugovës të shpallur nga shkalla e parë.

Në aktgjykimin e siguruar nga KALLXO.com, gjykata e Pejës ka konstatuar se Rugova ka vepruar në mospajtim mes detyrës publike dhe interesave private të zyrtarit të lartë, kjo pasi ka nënshkruar kontratën në vlerë prej mbi 289 mijë euro, e ku kontraktues ka qenë vëllai i tij.

Gjykata në arsyetim ka thënë se vet Rugova deri në vitin 2013 ka qenë bashkëpronarë i kompanisë, që kishte fituar tenderin në komunën që ai udhëheq, ndërsa bashkëshortja e Rugovës ka qenë në marrëdhënie pune në këtë kompani.

“Në rastin konkret ka nënshkruar një kontratë ku kontraktues ka qenë vëllai i tij G. R. si dhe vet i pandehuri gjer në vitin 2013, ka qenë bashkëpronar i “………”, ndërsa bashkëshortja e tij ka qenë ende në marrëdhënie pune në këtë firmë”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit.

Rugova para trupit gjykues kishte deklaruar se nënshkrimi i kontratës për tenderin që i ishte dhënë vëllait të tij, ishte bërë në mënyrë aksidentale nga ana e tij, pasi që i ishte sjellë në mesin e shumë dokumenteve për nënshkrim.

“Kryetari i komunës nuk merret me prokurim, ajo kontratë si zakonisht kryetari komunës i është sjellur në mesin e shumë dokumenteve dhe kontratave që duhet nënshkruar, dhe unë e kam një praktikë që vendosi nënshkrimin pas nënshkrimit të një zyrtari që është kompetent për atë çështje, e kur vjen nga zyra ligjore as nuk e lexoj por e nënshkruaj”, ka deklaruar ai.

Rugova duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Besnik Berisha, kishte thënë se ai nuk ka marrë pjesë në atë proces të prokurimit ngase edhe ligjërisht nuk ka të drejtë.

Aktakuza për konflikt interesi, ndaj tashmë ish kryetarit të Istogut, Haki Rugova erdhi pasi Agjencia Kundër Korrupsionit kishte paraqitur kallëzim penal ndaj tij pas raportimit të marrë nga BIRN dhe Internews Kosova.

“Agjencia Kundër Korrupsionit më 11 gusht 2017, ka pranuar informacionin nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese ‘BIRN’ dhe ‘Internews Kosova’ ndaj Haki Rugovës për shkak të mundësisë së veprës penale konflikt i interesit”, thuhej në arsyetimin e kallëzimit penal të Agjencisë.

Ai dyshohej se më 1 gusht 2014 në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut me dashje ka marrë pjesë personalisht në nënshkrimin e kontratës ‘Ndërtimi i kanalizimit fekal në fshatin Cerrcë – Lubozhdë – faza e parë”.

Tenderin për ndërtimin e këtij kanalizimi e fitoi “’MA-CON’ sh.p.k., në pronësi të Gani Rugovës (vëllai i Haki Rugovës), në vlerë prej 289,119.85 euro, duke mundësuar kështu interes financiar për të (Haki Rugovën) dhe personin juridik që ka të bëjë me të.

Ky proces gjyqësor është përcjelle me zvarritje të shumta të cilat i gjeni në këtë LINK.