Konferenca e rektorëve

Rektorët e Universiteteve Publike Bëhen Bashkë

Ministria e Arsimit ka marrë vendimin për themelimin e “Konferencës së Rektorëve” të Universiteteve Publike në Kosovë.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami tha që konferenca e rektorëve do të jetë një organ i rëndësishëm për ndërtim të standardeve në arsimin e lartë.

“Përmes këtij organi ne po fillojmë procesin e stabilitetit në arsimin e lartë, procesin e ngritjes së cilësisë dhe rritjes së besimit në opinion. Ky është mekanizëm plotësisht autonom, Ministria e Arsimit ka ndihmuar vetëm në themelimin por nuk do të jetë pjesë e konferencës së rektorëve”, tha Bajrami.

Ai shtoi që ky organ do të ndihmojë në ngritjen e nivelit të përgjithshëm të arsimit në vend.

“Ky mekanizëm i fuqishëm do të jetë një organ i rëndësishëm në politikat e regjistrimit të studenteve, në politikat e orientimit të Universiteteve tona drejt nevojave të tregut të punës, ngritjen e standardëve të cilësisë, në përsosjen e metodave të mësimdhënies, në ndërtimin e standardeve të përbashkëta të vlerësimit të studentëve dhe në ndërkombëtarizimin e përgjithshëm të arsimit të lartë dhe përfshirjen e arsimit të lartë në Kosovë në zonën Evropiane apo pranimin e plotë të Kosovës në procesin e Bolonjës”, shtoi ai.

Rektori i Universitetit “Hasan Prishtina”, Marjan Demaj tha që ky organ nuk është vendimmarrës mirëpo është organ këshillues i cili do të këshillojë organet relevante për politikat e ndryshme të arsimit të lartë në Universitetet e Kosovës

“Është gatishmëri e madhe  e jona që të bashkëpunojmë sidomos në mobilitet të studentëve dhe profesorëve kur kemi parasysh që kemi mungesë shumë të madhe të profesorëve të stafit, dhe Universiteti i Prishtinës është i përcaktuar t’i ndihmoj të gjitha universitetet tjera me kuadro, nevoja, bazë ligjore dhe çdo gjë që atyre ju nevojitet”, tha Demaj.

Sipas tij, ky organ do të veproj i pavarur nga Ministria e Arsimit dhe politikat tjera.

“Ajo çka është shume me rëndësi është se ky organizëm nuk ka kurrfarë ndikimi, është shumë i pavarur dhe insistimi i ministrit ka qenë që ky trup të jetë i pavarur pa kurrfarë ndikimesh politike, as të Ministrisë së Arsimit”, tha ai.

Gjatë kësaj mbledhje, kryesues i konferencës u zgjodh rektori i Universitetit të Prishtinës Marjan Demaj, dhe zëvendës kryesues u zgjodh rektori i Universitetit “Ukshin Hoti”, në Prizren, Ramë Vataj.