Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Deputeti Hoxhaj i përmend notën mesatare në studime, ministrja Nagavci i kundërpërgjigjet

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj “janë përplasur” sot në Kuvend pasi Hoxhaj i përmendi ministres Nagavci notën mestare të studimeve.

Hoxhaj teksa po deklarohej për çështjen e teksteve shkollore tha se fjalimi i Nagavcit zgjati përtej notës mesatare të saj 6.4.

“Unë e dëgjova me vëmendje ministren Nagavci mendoj që e ka mbajt fjalimin përtej mesatares së saj 6.4 se u mor shumë me pjesën e shpërndarjes dhe nuk e di kush është ai koleg i imi i UP-së që ka gabu ja ka qit një dy tre 7-she se krejt i ka 6-tëshe. Fjalimi ke përtej kësaj, por me keqardhje po them se nuk ka vizion”- tha ai.

Ministrja Nagavci është kundërpërgjigjur duke thënë se lidhur me këtë çështje nuk mund ta intimidojë as deputeti Hoxhaj as askush tjetër.

Ajo tha se askush nuk mund t’a akuzojë për korrupsion e keqpërdorime.

“Nuk mund të më intimidoni as ju as askush. Studimet e mia të cilave ju i referoheni kanë ndodhur në kohën kur unë kam vendosur t`i mbaj me forcat e mia dhe ashtu siç unë kam pasë dëshirë. Krahas punës të vazhdueshme, krahas kujdesjes për familjen time. Sot dhe asnjëherë ju dhe askush nuk do të mund të më akuzoni për korrupsion dhe keqpërdorime”- tha ajo.

Përveç kësaj teme, ata kanë debatuar edhe për çështjen e digjitalizimit.

“Kam prit që do të siguroni digjitalizim të shkollave. Unë ju ftoj si qeveri që keni mundësi me marrë vendime që për vitin e ardhshëm të siguroni laptopa dhe digjitalizim të shkollave”- ka thënë Hoxhaj.

Ndërsa, ministrja Nagavci tha se në kohën kur Hoxhaj ka qenë ministër i Arsimit kanë dështuar projekte milionëshe.

“Unë nuk di si e merrni guximin dhe dilni flisni për digjitalizim, i keni dështuar proceset milionëshe. Kemi finalizuar projektligjin për tekste shkollore i cili ka filluar prej vitit 2015 kur keni qeverisur të gjithë që jeni sot këtu e nuk e keni finalizuar”- shtoi ajo.

Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme, debat parlamentar “lidhur me dështimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024”.

Debati parlamentar për çështjen e furnizimit me tekste shkollore të nxënësve të shkollave fillore ka dështuar të mbahet më 4 shtator pasi deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, nuk morën pjesë.